I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se SHBA-të do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës. Escobar në një intervistë për Tanjug tha se edhe pse serbët do t’i bojkotojnë zgjedhjet rezultatet do të njihen ndërkohë që u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucione.
“I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar.
Po ashtu Escobar tha se SHBA-të po kërkojnë që serbët të kthehen në departamentet e policisë, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.
“Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje. Kjo është një pyetje vërtet komplekse. Do të duhet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”, tha Escobar.
Po ashtu Escobar tha se ka ardhur koha të formohet Asoosacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Ne presim propozime fillestare për formimin e ZSO, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura,” tha Escobar.