“Infermieret kujdeseshin si flutura” Linda Rama tregon orët e kaluara në spital pranë kryeministrit

Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama në iftarin e shtruar mbrëmjen e sotme, ka zbuluar disa detaje nga orët e kaluara në spital me kryeministrin Edi Rama, i cili iu nënshtrua një ndërhyrje urgjente për heqjen e appendisitit.

Pjesë nga fjala e Linda Ramës: “Në 30 orët e qëndrimit me Edin në spital pata mundësinë të jem mes një ekipi mjekësh dhe infermieresh të përkushtuar. Aida, Ela, Anxhela, Sonila, Elena, Delina ishin vajzat që kujdeseshin si flutura mbi kryet e pacientëve pa e thyer heshtjen dhe pa e humbur zhdërvjelltësinë mbresëlënëse të duarve, bashkë me buzëqeshjen inkurajuese, përgjatë orëve të avashta të natës.

Teksa rrija e ulur në karrike, pak pas mesnatës, njëra prej tyre më afrohet dhe më pyet me zë të ulët: T’ju sjell një jastëk?

E më parë erdhi se sa iku duke më lënë në dorë një jastëk të vogël që e mbajta nën qafë gjatë gjithë natës. Në të zbardhur pashë që jastëku që kish qëndruar me mua ishte një jastëk bebesh, me një rosak të qëndisur me dorë në mes të tij. I kujt është ky jastëku që ma lehtësoi natën mua, e pyeta. I vajzës time, tha. E mbaj pranë në orët e natës, kur jam në punë. Uroj tju ketë shërbyer. E pashë me admirim për shpirtin e saj dhe e pyeta si quhet vajza? Ajlina tha dhe i qeshën sytë.

Ajlina, ëngjëlli me emrin e vjetër musliman që do të thotë sublimja, kishte qendruar me mua si “ dritë e hënës” dhe “ dhuratë e Zotit” në një natë të vështirë në muajin e Ramazanit.

Dhe me këtë mbresë të pashlyeshme të njerzillëkut shembullor, duke uruar që paqa, shëndeti e mbarësia t’ju prijnë familjarisht, lejomëni t’i uroj posaçërisht edhe besimtarët muslimanë që agjërimi i tyre të jetë i pranuar.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *