Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri me dije vendimin për miratimin e tërheqjes dhe shpërndarjes së përqendruar të abonesë në Tiranë. Veliaj tha se në fushatë mund të dalë kushdo dhe të flasë për gjëra falas, duke theksuar se opozita me sa duket nuk e di që në kryeqytet ekzistojnë abonetë.
“Kur vjen fushata, del lloj-lloj mitomani dhe deliranti dhe fillon me çudirat: ‘Jo, po transporti falas. Jo, po sa do kursesh. Do kursesh 50 mijë lekë, 52 mijë lekë për person’. Kurse aboneja është 16 mijë lekë të vjetra. Si mund të kursesh më shumë sesa shpenzon? Se kjo s’ka logjikë. Sot aboneja, ti mund të udhëtosh në të gjitha linjat për 1.600 lekë të reja. Flasin për historinë e mbledhjes së 40-lekëshave, ndërkohë që nuk e dinë se në Tiranë ekziston një abone për ata që janë realisht përdoruesit e shpeshtë të transportit, që është shume shumë herë më e lirë”, sqaroi Veliaj.
Për sa i përket transportit falas kryebashkiaku tha se ai ka dështuar kudo ku është zbatuar si projekt. “Në Talin kryetarit të bashkisë nuk i eci puna mirë, sepse ngaqë zhvendosi buxhetin bashkisë për të bërë transportin falas – sepse atje njerëzit e hëngrën rrenën, siç e hëngrën edhe këtu tramin – dhe zbuluan se zhvendosja e financave të bashkisë vetëm në një premtim, bëri që bashkia të mos bënte as shkolla, as kopshte, as çerdhe dhe sigurisht mbaroi edhe karriera e tij në Talin, edhe sot konsiderohet si një nga gafat më të mëdha, sepse as nuk e rriti përdorimin e transportit publik. Ju si mendoni, që një njeri që në kohën e krizës e ka naftën 2 mijë e ca lekë, do joshet nga 40-lekëshi i autobusit? Pra, për 40 lekëshin nuk po lë makinën me 2 mijë lekë? Se po të ishte kështu, që tani është më atraktiv. Po rai që ka makinë thotë se do të shpenzoj më shume sepse i intereson komforti i vajtjes nga pika A në B, ose për distanca të largëta, jam gati ta paguaj. Në Talin nuk lëvizi as 1% e transportit, bashkia bllokoi gjithë fondet e veta dhe ndërkohë e la rrugës”, tha Veliaj.
Ai theksoi se koalicioni Berisha-Meta vetëm gënjen, duke risjellë në vëmendje faktin se ata e kanë bashkinë e Shkodrës dhe nuk kanë bërë asgjë atje.
“Ka një teori që thonë: “Ne çfarë t’i bëjmë që s’e kemi bashkinë, se po ta kishim do ua provonim si bëhen këto gjërat falas”. Dhe unë them na e provoni në Shkodër. Shkodra ka një linjë autobusi. Ne kemi 20 në Tiranë dhe 19 nëpër rrethet e tjera, që quhen ndërqytetase. Pra, që vijnë nga ish-komunat. Ata një linjë kanë, nga Bahçallëku deri te “Heronjtë e Vigut”. Pra, bën vetëm një xhiro. Tani këta me një linjë, pse nuk e bëjnë dot falas? Të na e tregojnë dhe të thonë: “Siç e qamë ne Shkodrën, ashtu do bëjmë edhe Tiranën”. Nejse, kur e pyesin kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, ai jep një përgjigje dhe thotë: “Nuk mposhtet shpirti demokratik i shkodranit”. O vëlla, po të pyesim për tabelë ekseli. Sa të del llogaria? Bëje ti, meqë Saliu dhe Iliri paskan këtë program kombëtar për çdo gjë falas, duke presupozuar se ne e harruam Suden, tortën e Pavarësisë, disko “Krokodilin” te parku “Rinia”, dhe Lanën që tani duan ta bëjnë me shezlongë, dhe ne e pamë çfarë i bënë ata Lanës kur e kishin në dorë. Na e tregoni si bëhet falas në Shkodër me 1 linjë”, u shpreh Veliaj.