Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli ditën e sotme vendimin për lënien në fuqi ndërprerjes së vetingut ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, si dhe të vendosjes së sanksionit që i ndalon atij rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.
Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit.
Gjatë procesit në shkallën e parë të vetingut në nëntor të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstatoi se Papandile nuk i ishte përgjigjur një pyetësori si dhe kishte pretenduar se ai nuk ishte subjekt rivlerësimi.
Njoftimi i vendimit:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 5/2023, datë 03.02.2023 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Eugen Papandile kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 591, datë 23.11.2022. Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 591, datë 23.11.2022, që i përket subjektit të rivlerësimit Eugen Papandile.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 19.04.2023.