Skemat e mikrofinancave, një ‘shiringë’ për të injektuar para nga shërbimet Ruse në dy shtetet shqiptare në Ballkan

Mund të duken si të pabesueshme disa skema financiare që në dukje edhe pse të vogla shërbejnë si një lloj mekanizmi injektues për miliona apo miliarda para financime në një ekonomi kaotike siç është ajo e Shqipërisë dhe Kosovës.

Por vitet e fundit në ekonomitë e dy vendeve, madje pak më tepër në Shqipëri janë derdhur lum financime që kanë burime të dyshimta dhe të panjohura.

Shqipëria ndërkohë, i ka shkrirë “mjeshtërisht” këto financime në sektorët më të mëdhenj të ekonomisë duke përfituar edhe nga mungesa e vëmendjes së institucioneve, apo “shkelja e syrit” e politikës dhe qeverisë.

Ndërkohë në Kosovë po luftohet ethshëm kundër këtyre fenomeneve, duke qenë se administrata është më serioze, por edhe shteti i ri shqiptar në Ballkan ka një prani dhe një interesim më të lartë të ndërkombëtarëve.

Në këtë shkrim “Priza.al” do të sjellë një investigim të përpunuar nga mediat e Kosovës dhe të rajonit që tregon se si kanë rrjedhur fonde dhe para jo vetëm nga mafia, por edhe nga shërbimet sekrete drejt Kosovës, Shqipërisë por edhe shteteve të tjera fqinje.

Investigativja kosovare “Insajderi.com” ka folur rreth një vit më parë për një personazh të quajtur Martins Valters, që konsiderohej si njëri prej personave që përbënte rrezik të madh për sigurinë e Kosovës. Ai kishte futur dhe qarkulluar miliona euro në tregun e Kosovës, nëpërmjet dy institucioneve financiare për kredi të shpejta, “Monego” dhe “IuteCredit” (e cila ka degën e saj edhe në Shqipëri).

Të dy këto institucione u mbyllë vitin e kaluar nga Banka Qendrore e Kosovës, me arsyetimin se, kishin shkelur ligjin dhe përbënin rrezik potencial për sigurinë kombëtare.

Në investigimin e “Insajderi.com” që sot “Priza.al” po sjell për të bërë analizën e një situate të ngjashme edhe në Shqipëri nga partnerët e këtyre IFJB-ve, janë zbuluar se si rrjedhin financime në miliona euro nga këto kompani të lidhura me Rusinë, Qipron dhe aferën financiare të pastrimit të parave të Panamasë.

Martins Valters: Deep Dive in the Secondary Market of Mintos | Mintos Blog

(Martins Valters, pronar i kompanisë “Mintos”)

Martins Valters, pronar i “Mintos”, është vënë nën lupën e shërbimeve perëndimore, por edhe të AKI-së (Agjencia Kombëtare e Inteligjencës) dhe institucioneve tjera të sigurisë në Kosovë. Tashmë, pas mbylljes së dy prej tyre në Kosovë, Prokuroria po heton veprimtarinë e tyre dhe jo më larg se sot u zbulua një tjetër skemë pastrimi parash.

Hetimet intensive në Kosovë për financuesit rus të “IuteCredit”

Prokurori special, Atdhe Dema, ishte ngarkuar me detyrën e drejtimit të hetimeve intensive. Ai ndërmori veprime të sakta hetimore të cilat çuan deri në zbulimin e implikimit të zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës, institucion ky që ka licencuar dhe mbikëqyrur “Monegon” dhe “IuteCredit”.

Pas hetimeve intensive të Prokurorit Dema por edhe të AKI-t, dolën në dritë lidhjet midis zyrtarëve të dyshuar të BQK-së të cilët kishin lejuar dhe favorizuar këtë veprimtari.

Vetëm pas paralajmërimeve të përsëritura të Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese kosovare për rrezik të madh të sigurisë kombëtare, Banka Qendrore e Kosovës morri vendimin e mbylljes së tyre.

“Mintos”, e drejtuar nga Martins Valters dhe disa aksionarëve të tjerë, sipas burimeve konfidenciale bazuar në dokumente sekrete, të cituara nga mediat kosovare, përdoreshin nga investitorë rusë përmes institucioneve financiare nga Rusia.

Institucionet nga Rusia ofronin shërbime të investimeve, përmes monedhës ruse “Rubla” duke i kaluar në “Mintos” në Estoni dhe nga atje, futeshin si investime në “Mintos” të Lituanisë. Prej atje, këto fonte hynë me shpejtësi në Kosovë nëpërmjet  “Monego”, “IuteCredit” dhe “Mogo Leasing”.

Por nga sa mësohet prej mediave investigative kosovare, këto financime kanë hyrë tashmë prej disa vitesh edhe në Shqipëri, po nëpërmjet degëve të këtyre institucioneve apo edhe IFJB-ve të tjera.

Këto të dhëna i referohen raporteve konfidenciale të agjencive inteligjente të Kosovës, që me gjasë kanë njoftuar edhe partnerët e tyre në Shqipëri, për rrezikun që ka ardhur në rritej në vitet e fundit.

Por në një kohë që Shqipëria sytë i ka nga aleanca me BE-në dhe SHBA-të, duket se ekonomia e vendit po blihet ngadalë nga financimet e shërbimeve ruse, nëpërmjet skemash të kamufluara financimi.

Origjina e parave është nga Rusia

Përfaqësuesit zyrtarë të “Monegos” dhe “IuteCredit” në Kosovë e kanë mohuar vazhdimisht lidhjen e tyre dhe financimet me të njëjtin pronar që fut para në rajon dhe pastron fondet e shërbimeve sekrete ruse. Por referuar investigimit të “Insajderi.com”, ishte pikërisht Martins Valters, ai që paditi CEO-t e këtyre dy subjekte për shkak të humbjes së licencës në Kosovë.

“Insajderi.com” kishte zbuluar gjithashtu se, Valters, i cili sipas AKI-së dhe shërbimeve perëndimore, është i lidhur me shërbimin sekret rus “FSB”, kishte ngritur padi më 3 janar 2020 dhe u kishte kërkuar dy institucioneve nga 11 milionë euro.

“Mintos” kishte paraqitur në gjykatë pretendime financiare të mëdha në lidhje me dëmin, duke kërkuar prej “Monego-s” shumë e 9,000,000,00 euro, dhe nga “IuteCredit”, 3,000,000,00 euro.

Një raport i institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, kishte siguruar madje edhe një kopje të pasaportës së Martins Valters. Në raport pretendohej se qëndronte një vulë e shërbimit inteligjent rus “FSB”.

“Në pasaportën e tij janë gjetur edhe vula dhe viza të ndryshme ku ka udhëtuar disa herë në destinacione të largëta në një afat të shkurtër kohor. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se përveç që ka viza për hyrje në Rusi, ai ka edhe një vulë të stampuar, në të cilën shkruarën me shkronja cirilike ‘FSB Rusi’. Autoritet i vetëm në Rusi si FSB është ai i Federal Security Service që është pasardhës i KGB-së ruse”,- shkruhej shprehimisht në dokumentin e rezervuar të raportit që autoritetet e Inteligjencës kosovare i kishin nisur për dijeni organeve të tjera ligjzbatuese.

Përveç pjesëve të shkëputura në mënyrë ekskluzive dhe tepër konfidenciale nga raportet e agjencive të inteligjencës kosovare, “Insajderi.com” kishte zbuluar se “IuteCredit” në Kosovë ka pranuar para nga “SËEDSKE BANK”.

Kjo e fundit është akuzuar dhe është në procese hetimi nga agjencitë perëndimore, pikërisht për lejimin apo krijimin e kushteve të përshtatshme për të vepruar bizneset të cilat janë të ndërlidhura me oligarkë dhe struktura shtetërore ruse, që kanë tendenca të ndryshme destabilizimi në rajon. Këtë tendencë dyshohet se e ka pasur “IuteCredit Europe”, “IuteCredit Kosovo” dhe biznese të tjera që ndërlidhen me pronarët e tyre.

Nisur nga e gjitha kjo sa më sipër, “Priza.al” me të drejtë ngre sot pyetjen: A po heton sot Prokuroria e Përgjithshme shqiptare, Shërbimi Informativ Shtetëror, Departamenti i Krimit Ekonomik në Ministrinë e Brendshme, Banka e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të paktën aktivitetin e “IuteCredit” në Shqipëri dhe origjinën e parave të tyre?

Vijon….

/Priza.al/

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *