Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i bujshëm që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Fushë-Krujë, ku policia vuri në pranga të shumëkërkuarin Ramazan Rraja, nipi i deputetit të PS-së, Rahman Rraja.
Nga raportimet e mediave bëhet me dije se i riu, i njohur edhe si “Xon Rraja” së bashku me Luis Konomin, e njohur si “Çupja” i Elbasanit janë arrestuar në ambientet e një lokali pranë “Urës së Goles” në Fushë-Krujë, ku kishin shkuar për iftar pas agjërimit.
Një “pakujdesi” nga ana e Rrajës, i cili sipas policisë fshihej prej muajsh në trekëndëshin Durrës-Lezhë-Tiranë, ka bërë kështu që një nga emrat më të kërkuar nga SPAK, të përfundojë pas hekurave.
Ndërkohë personi në shoqërinë e tij Luis Konomi është lënë sot në burg nga Gjykata pasi akuzohet se ka kërcënuar me jetë biznesmenin Eral Myftaraj për tenderin e druve të Bashkisë së Tiranës, pasi ishte kontaktuar nga babë e bir, Shaqir dhe Algert Alcani, të cilët po ashtu gjenden pas hekurave.
Ai ishte në kërkim nga policia dhe akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.