Mbreti Charles pritet të kurorëzohet monark në muajin maj dhe lista e tij e të ftuarve arrin në 2 mijë persona. Ai ka nisur të marrë dhuratat e para.
Papa Françesku i dha Charlesit një dhuratë personale për kurorëzimin e tij me vlerë të paçmueshme dhe njëkohësisht me simbolikë të lartë. Bëhet fjalë për një kryq argjendi me xhevahire që përfshin pjesë të drurit të shenjtë dhe do të përdoret në procesion.
“Kjo nuk është vetëm një shenjë e rrënjëve të thella të krishtera të kombit tonë, por, jam i sigurt, do të na inkurajojë të gjithëve që të formojmë jetën tonë bazuar në dashurinë e dhënë nga Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti” – tha Kryepeshkopi i Kardifit.
Pjesa e pasme e Kryqit është e gdhendur me fjalë nga predikimi i fundit i Shën Davidit në uellsisht: ‘Byddwch lawen. Cadwch y besim. Do y Pethau Bychain”, që përkthehet në: ” Ji i lumtur. Mbaje besimin. Bëj gjërat e vogla.’