Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë ditën e sotme kërkesë-padinë për vendosjen e emrit të Sali Berishës si drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletën e votimit.
Trupi gjykues, i përcaktuar me short, do të përbëhet nga gjyqtarët:
Marsela Dervishi (Relatore);
Esmeralda Xhili (Anëtare);
Alma Kolgjoka (Anëtare);
Emona Muçi (Anëtare);
Manjola Xhaxho (Anëtare);
Seanca do të mbahet në orën 18:00, në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së.
Njoftimi i plotë:
Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja Nr.15 Regj. Themeltar, Datë 20.04.2023 Regjistrimi, me:
PADITËS: KOALICIONI “BASHKË FITOJMË”.
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – (KQZ).
OBJEKTI: Ndryshimin e Vendimit nr.61, datë 19.04.2023 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur:
Ndryshimin e vendimeve nr.361 dhe 362 të KSH, datë 15.04.2023, duke ndryshuar përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak, Bashkia Tiranë, si dhe për 60 bashkitë e tjera në vend, duke vendosur përbri emrit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” emrin e z. Sali Berisha.
Për dijeni, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me Vendimin nr.361, datë 15.04.2023, ka vendosur:
“1. Miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak, Bashkia Tiranë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.
Ndërsa, me Vendimin nr.362, datë 15.04.2023, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi:
“1. Miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak në 60 bashki, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.61, datë 19.04.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, vendosi:
“1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore të paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, sa i takon pasqyrimit të emrit të Kryetarëve të partive udhëheqëse të koalicioneve “Bashkë Fitojmë” dhe “Aleanca Liberale e Djathtë” në fletën e votimit.
Rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike të Shqipërisë për sa i përket pasqyrimit të shkronjave nistore të partive përbërëse të koalicioneve përbri emrit të koalicionit përkatës.
Rrëzimin e kërkesës së palës së interesuar, koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për vendosjen e emrit të deputetit Sali Berisha në fletën e votimit si drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Administrativ brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij”.
Më datë 21.04.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:
Marsela Dervishi (Relatore);
Esmeralda Xhili (Anëtare);
Alma Kolgjoka (Anëtare);
Emona Muçi (Anëtare);
Manjola Xhaxho (Anëtare);
Me Urdhër datë 21.04.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 21.04.2023, ora 18:00, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë.