Ramazan Rraja, i cili u vu në prangat e policisë dy ditë më parë për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, mësohet se i ka shpëtuar një operacioni policor në Vorë, para ndalimit.
Sipas News24, një efektiv policie ka tentuar të ndalonte makinën me të cilën Rraja po udhëtonte, por automjeti është larguar me shpejtësi. Në këtë moment efektivi i policisë ka qëlluar në drejtim të makinës, e cila edhe në këtë moment nuk ka ndaluar.
Ngjarja e Vorës nuk është raportuar nga policia, por AMP ka nisur hetimet dhe ka marrë dëshminë e oficerit të policisë.
Kujtojmë që nipi i deputetit socialist u arrestua dy ditë më parë në një lokal në zonën e Fushë Krujës. Në momentin e arrestimit, ai kishte një pistoletë në brez, me fishek në fole, gati për qitje.
Policia arrestoi së bashku me Ramazan Rrajën edhe një person tjetër që e shoqëronte atë, shtetasin Louis Konomi alias Elton Llozhi.