Zbardhet një tjetër konflikt që kihte Ardian Nikulaj, 51-vjeçari që u vra dy ditë më parë në Shëngjin. Raportohet se para tre vitesh, djali i Nikulajt dhe kushërinjtë e tij kanë dhunuar një të ri të identifikuar si Marsel Kolndreu. Por, babai i këtij të fundit ka mohuar të ketë lidhje me ekzekutimin e Nikulajt. Ai thotë se pasi i kanë rrahur djalin, i ka dërguar mesazh Nikulajt dhe pavarësisht përgjigjes që ka marrë, nuk e ka përshkallëzuar konfliktin mes tyre. Madje shton se është i gatshëm të përballet me anëtarët e familjes Nikulaj.
“Fëmijët e mi kanë pasur konflikt me Nikulajt. Ma kanë rrahur djalin barbarisht para 3 vitesh me shkopa bejzolli. E ka rrahur djali i Ardian Nikulajt dhe nipat. Iu kam çuar njerëz dhe iu kam thënë që pse ma rrahët djalin në këtë formë. Ardiani na është përgjigjur ‘rrini mirë’. Lajmin e vrasjes e kam marrë vesh nga lajmet dhe jam i gatshëm të përballem bashkë me fëmijët e mi se nuk kam lidhje me ngjarjen. Jam i gatshëm ti përgjigjem familjes Nikulaj që nuk kam lidhje me këtë ngjarje,”- ka thënë babai i Marsel Kolndreut.
Deri më tani raportohet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona,. Dy prej tyre kanë marrë pjesë si vëzhgues, ndërsa një ka qenë organizatori. Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e së mërkurës kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.
Autori, siç u pa nga pamjet, mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën.BW