Bashkia e vogël e Pukës në veri të Shqipërisë ka gati 12 mijë votues dhe qeveriset që prej dy mandatesh nga Partia Socialiste, me kryebashkiakun Gjon Gjonaj, i cili aktualisht kërkon një mandat të tretë. Përballë tij, Rrok Dodaj, kandidat i koalicionit Bashkë Fitojmë, i cili ishte kandidati humbës në zgjedhjet e vitit 2015 përballë Gjonajt.
Dodaj ka qenë kryetar i Komunës Qerret, një nga njësitë administrative përbërëse të Pukës, për katër mandate me radhë nga viti 2000 deri në vitin 2015.
Banorët e Pukës, të cilët do të votojnë edhe për 15 anëtarë të këshillit bashkiak, kanë një gamë të pazakontë të gjerë partish garuese. Plot tetëmbëdhjetë parti kanë paraqitur lista të mbyllura me 289 kandidatë. Në raport me votuesit, ka afërsisht 1 kandidat për çdo 40 votues ndërsa në raport me ndenjëset në garë, ka 19 kandidatë për çdo post anëtari.
Bashkia e Pukës ka qenë një bastion i demokratëve deri në zgjedhjet e vitit 2015, kur koalicioni PS+LSI mposhti Rrok Dodajn me një rezultat të ngushtë, vetëm 98 vota më shumë. Gjërat duket se kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Në zgjedhjet e vitit 2021, Puka i dha socialistëve dhe aleatëve të tyre socialdemokratë 53% të votave. Në zgjedhjet e vitit 2007, kandidatët e së djathtës për poste kryetarësh të bashkisë dhe komunave morën 51% të votave përkundrejt 47% të kandidatëve socialistë ndërsa në zgjedhjet e vitit 2011 rezultati u nda në 34 me 46% për demokratët.
Puka është gjithashtu një faktor i fitores së socialistëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, kur aleati i tyre i vogël, Partia Kristiandemokrate, arriti të grumbullojë disa mijëra vota duke dërguar në parlament në aleancë me socialistët deputetin Mark Frroku, i cili më pas përfundoi në burg dhe u bë një nga simbolet e kriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë.
Bashkia e Pukës dhe ajo e Malësisë së Madhe duket se ka rëndësi për socialistët për rezultatin e tyre zgjedhor në zgjedhjet parlamentare për Qarkun Shkodër. Mbajtja e saj nuk duket shumë e vështirë nëse kihet parasysh se bashkia e vogël ku ka rreth 6300 vota në lojë, numëron aktualisht rreth 270 të punësuar.
Bashkia e Pukës përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Puka, Gjegjani, Rrapë, Qelëz dhe Qerret. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Pukës dhe e qarkut Shkodër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 41 fshatra.
Puka është zonë malore ku pyjet kanë qenë burim i rëndësishëm ekonomik për shumë dekada ndërsa së fundmi ka pasur zhvillim edhe turizmi i natyrës. Puka është një nga zonat me një shkallë të lartë pjesëmarrjeje në votime në Shqipëri, më të lartë se sa mesatarja kombëtare./Reporter.Al