Regjistrimi i Ismailajt/ Ja kur hidhet shorti në Kolegjin Zgjedhor për ankimimin e PD

Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS. Ky i fundit rrëzoi kërkesën e demokratëve për të moslejuar kandidimin në zgjedhje të kandidatit të PS-së për Mallakastrën, Qerim Ismailaj.

Shorti për përcaktimin e trupës gjykuese do të hidhet ditën e nesërme, në orën 09:00 në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit.

NJOFTIM PËR MEDIA

Në datën 22.04.2023 ora 09:00, në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, në adresën: Rr.“Ismail Qemali”, Tiranë, do të hidhet shorti për përcaktimin e trupit gjykues për gjykimin e kërkesëpadisë Nr.16 Regj.Themeltar, Datë 21.04.2023 Regjistrimi, me:

PADITËS: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Indrit Sefa.

I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – KQZ.

OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimit nr. 60, datë 19.04.2023 të KAS “Për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 49, datë 17.04.2023, të depozituar nga “Partia Demokratike e Shqipërisë”.

Shfuqizimi i vendimit nr. 366, datë 15.04.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike dhe verifikimin e të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të subjektit vetëdeklarues z. Qerim Ismail Ismailaj, kandidat për Kryetar të Bashkisë Mallakastër, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”.

Ndalimin e kandidimit të Kandidatit për kryetar Bashkie të Mallakastrës, shtetasit Qerim Ismail Ismailaj, të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Për dijeni, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me Vendimin nr.366, datë 15.04.2023, ka vendosur:

“1. Mospranimin e kërkesës së subjektit zgjedhor Partia Demokratike për moslejimin e z. Qerim Ismailaj për të kandiduar si kandidat për kryetar në Bashkinë Mallakastër për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023.

Kryerjen e verifikimit të thelluar të subjektit vetëdeklarues z. Qerim Ismail Ismailaj, kandidat për kryetar bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” për Bashkinë Mallakastër dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.

Ndërsa Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, me Vendimin nr.60, datë 19.04.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, ka vendosur:

“1. Rrëzimin e kërkesës ankimore nr.49, datë 17.04.2023, të paraqitur nga “Partia Demokratike e Shqipërisë”.

Lënien në fuqi të vendimit nr.366, datë 15.04.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike dhe verifikimin e të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të subjektit vetëdeklarues z. Qerim Ismail Ismailaj, kandidat për Kryetar të Bashkisë Mallakastër, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor te Gjykatës së Apelit Administrativ brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij”.

Tiranë, më 21.04.2023

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *