Ekzekutori i politikanit vendor Ardian Nikulaj u përplas në derën e lokalit me një nga punonjësit, por gjakftohtë ai iu afrua shënjestrës dhe e qëlloi me 6 plumba pistolete për vdekje.
Lek Ll., një nga punonjësit në biznesin e viktimës u shpjegoi hetuesve momentin kur u përplas me vrasësin.
“Pasi mbarova punën që pastrova te bregu i detit e lulishtes, hyra të lokali edhe mora një shishe ujë. Aty brenda në lokal, ishte i ulur në karrige Ardiani dhe ishte duke shkruar në telefon. Fola pak me të dhe pasi e përshëndeta isha duke u nisur për të dalë, për të ikur në punën time.
Isha te dera edhe isha me fytyrë nga Ardiani, kur me erdhi nga mbrapa nga ana e djathtë e imja, një burrë i gjatë i veshur me pantallona me xhepa, sipër kishte një jelek si të verdhë të ndezur dhe në kokë kishte një kasketë të zezë.
Ai me tha veç ‘Largohu’ , hyri brenda në lokal dhe shkoi në drejtim të Ardianit. E zgjati dorën dhe dëgjova zhurmën që kishte gjuajtur me pistoletë Ardianin. Autori ishte i gjatë, mbi 1.85 dhe ishte trup i mbushur”, shpjegon ai.
Dëshmitari tha më tej se “Kur më tha ‘Largohu’, kishte një zë të trashë, por theksin nuk e mbaj mend se veç aq më tha edhe nuk i vura mendjen sepse mendova se ishte ndonjë person që i kisha zënë derën dhe donte të futej”.
Mark N., një tjetër dëshmitar, tha se Ardiani banonte në të njëjtën godinë, në katin e parë të së cilës ndodhet lokali “Koral” ku ndodhi vrasja.
“Rreth orës 12:30- 13:00, kohë që kam qenë në banak, kamerieri F. Ç ka qenë tek banaku pranë meje dhe i ulur në tavolinë përballë banakut ka qenë pronari Ardiani, vetëm, i cili ishte i përqendruar tek telefoni që kishte në dorë. Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup. Pasi është afruar afër banakut personi na ka përshëndetur mua dhe kamerierin duke na thënë “si kalut”. Në këtë çast unë dhe kamerieri po bisedonim me njëri- tjetrin dhe nuk e kishim shumë mendjen tek personi në fjalë. Kam vënë re se ai është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë në drejtim të tij. Jam ulur poshtë banakut dhe kam dalë nga magazina në të djathtë, ku kam qëndruar deri sa kanë pushuar të shtënat”, tregon ai.
Dëshmitari shpjegon se nuk ia ka fiksuar fytyrën vrasësit, pasi sipas tij ndodhi gjithçka shumë shpejt dhe se në fillim mendoi se ishte ndonjë klient. I pyetur nga hetuesit se nga cila zonë mund të jetë autori, dëshmitari thotë se “me aq sa komunikoi autori, që dëgjova që na tha “si kalut”, nuk jam në gjendje të them se nga cila zonë mund të ketë qenë, por mendoj se nga veriu ose nga Shqipëria e mesme, pasi nuk mund duk dialekt jugor”.
Kujtojmë se ish-kandidati për deputet në siglën e Partisë Social Demokrate, në 2021 Ardian Nikulaj që aktualisht synonte një vend në këshillin bashkiak në Bashkinë e Lezhës u qëllua me 6 plumba në lokalin e tij “Koral” nga një person që mbante jelek fosforeshent dhe skafandër në kokë. Vrasësi dyshohet se erdhi dhe u largua me motor i vetëm nga Shkodra.
Ardian Nikulaj dyshohet të jetë vëzhguar para se të ekzekutohej.