Shefi i diplomacisë spanjolle, Jose Manuel Albares ka konfirmuar se shqiptarët e Kosovës nuk mund të lëvizin drejt Spanjës, pavarësisht liberalizimit të vizave.
Albares pas takimit që ka pasur me shefen e diplomacisë gjermane të premten në Berlin, ka thënë se Spanja nuk e njeh Kosovën e për rrjedhojë nuk do të lejojnë as udhëtimet e shtetasve të Kosovës.
“Spanja ka politikën e saj mos-njohëse ndaj Kosovës dhe kjo përfshinë edhe mosnjohjen e pasaportës kosovare, siç e kemi bërë në mënyrë konstante deri tani”, ka thënë Albares.
Spanja ndonëse nuk e njeh Kosovën, nuk ka kundërshtuar liberalizmin e vizave.
Vendet tjera që nuk e njohin Kosovën janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat.