Katër persona janë vënë në prangat e policisë pasi janë ndaluar duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm nga Saranda drejt Shkodrës.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në pranga ranë 4 persona. Pas hekurave përfunduan shtetasit Fatos Hasaj, Martin Fusha, Besar Fikaj si dhe Kol Qershia. Policia bën me dije se 3 prej tyre monitoronin rrugën për të shmangur kontrollet e policisë ndërsa njëri drejtonte furgonin ku ndodheshin emigrantët.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së.
Operacioni i zhvilluar nga DVKM Vlorë në bashkëpunim me Repartin Special “Delta”, Komisariatin e Policisë Himarë dhe Seksionin e Trafiqeve në DVP Vlorë.
Transportonin me një mjet furgon, 29 emigrantë, vihen në pranga 4 shtetas nga Shkodra, ku 3 prej të cilëve lëviznin me një automjet tjetër privat për të monitoruar rrugën, për prezencë të shërbimeve të Policisë.
Sekuestrohen 2 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe celularët e të arrestuarve.
Shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Repartin Special “Delta” dhe strukurat e DVP Vlorë, në vijim të operacionit policor të koduar “Border”, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin drejt vendeve të BE-së, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit:
-F. H., 48 vjeç, M. F., 32 vjeç, B. F., 18 vjeç dhe K. Q., 36 vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Të 4 këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të kryer transportimin kundrejt pagesave, të 29 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Shtetasi B. F. drejtonte furgonin me të cilin transportoheshin emigrantët, ndërsa 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, lëviznin me një automjet tjetër, me qëllim monitorimin e rrugës së kalimit nga Saranda drejt Shkodrës, për të shmangur shërbimet e Policisë.
2 automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.