Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se duke filluar nga sot, ndryshon drejtimi i lëvizjes për mjetet në Unazën e Madhe për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e Lotit 3.
Në një njoftim zyrtar ARRSH, ka njoftuar planin e ndryshimit të itinerarit, ndërsa sqaron se ky devijim do të vazhdojë për një periudhë dy mujore.
Lëvizja e automjeteve do të ndryshojë si më poshtë:
-Automjetet që vijnë nga Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta, aksi kryesor, në drejtim të Astirit do të devijojnë majtas sipas sinjalistikës horizontale dhe vertikale.
-Automjetet që kanë destinacion Qendrën, Laprakën, Astirin do të marrin daljen e autostradës pa u futur në nënkalimin e Astirit.
-Automjetet që kanë destinacion Durrësin dhe Aeroportin do të vazhdojnë drejt përgjatë unazës Loti 3 duke vazhduar lëvizjen drejt.
-Automjetet që vijnë nga kryqëzimi i Astirit (rruga dytësore) në drejtim të Pallatit me Shigjeta dhe që kanë destinacion Elbasanin, do të marrin daljen për në rrugën kryesore duke vazhduar sipas sinjalistikës.
-Automjetet që vijnë nga aksi kryesor nuk do të kenë ndryshim lëvizjeje.