Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka dhënë një deklaratë para mediave nga një qendër e votimit në Veri. Ai tha se procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull dhe se nuk ka ndonjë problem. Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve të komunave veriore që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.
“Unë si kryesues i KQZ-së bashkë me anëtarët Arianit Elshani, Sami Kurteshi dhe kryeshefin Burim Ahmetaj erdhëm me i vizitu qendrat e votimit që janë hapur me kohë dhe pamë që procesi po shkon në rregull, nuk ka ndonjë problem. Gjithashtu dua të ftoj të gjithë qytetarët e komunave veriore që të dalin në zgjedhje në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe në këtë mënyrë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të ndërtojnë institucionet legale demokratike. Ne si KQZ siç kam deklaruar më herët kemi ndërmarrë të gjitha masat, në bashkëpunim me policinë, që ky proces të shkojë në rregull, të ketë qetësi, të hapen vendvotimet, të gjitha janë hap me kohë siç është paraparë dhe gjithçka ka shkuar sipas planit. Po shpresojmë që i gjithë procesi të përfundojë i qetë. Prapë dua të bëj thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në mënyrë sa më masovike që është e mundur dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, tha ai.
Radoniqi u pyet se sa është numri i personave që kanë votuar deri më tani.
“Saktëisht nuk mund të them tani, por aq sa munda të kuptojë në këtë qendër të votimit kanë dalë rreth 60 persona”, u përgjigj ai,
Kreu i KQZ tha se sipas informacioneve që ka siguria nw vend nuk wshtw cwnuar deri mw tani dhe çdo gjw po shkon siç duhet.
“Të jemi të qartë, nuk ka urdhër për mos me i leju mediat. Mediat janë të lira me marr filmime në qendrat e votimit dhe nga kontejnerët. Ka qenë një konfuzion mes doracakut, por çdo gjë është e qartë tani. Ne nuk kemi dhënë urdhër, nuk ka urdhër me u largu mediat, ndoshta ka ndonjë keqkuptim. Kontejnerët kanë qenë një zgjidhje më e përshtatshme duke pasur parasysh rrethanat që janë krijuar. Unë nuk besoj që përdorimi i kontejnerëve do të jetë pengesë në votim. Qytetarët janë të lirë, kanë qasje në këto qendra të votimit, kontejnerë. Është mundësi që KQZ ua ofron qytetarëve që të votojnë përmes kontejnerëve”, tha ai.