Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, mërkurën e kaluar. Mësohet se hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve janë shtrirë në Shkodër. Ende nuk dihet se ku janë bazuar prokurorët që kanë ngushtuar rrethin e hetimeve në Shkodër por një bazë është dëshmia e banakierit në momentin që u vra Nikulaj me 7 plumba. Banakieri u shpreh se dialekti i vrasësit ishte verior.
Policia ka shoqëruar disa emra të njohur të krimit në Shkodër për të dhënë dëshminë e tyre. Por pas dëshmisë i ka lënë të lirë, pasi nuk kanë arritur që të gjejnë prova. po ashtu prokuroria Lezhë me ndihmën e policisë po ashtu po kalojnë në sitë të gjithë konfliktet dhe mosmarrëveshjete mëparshme të biznesmenit Nikulaj, me shpresën se do të gjejnë diçka për të zhbllokuar hetimet për vrasjen e tij.
Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e së mërkurës kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.
Autori, siç u pa nga pamjet, mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën.
Deri më tani raportohet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Dy prej tyre kanë marrë pjesë si vëzhgues, ndërsa një ka qenë organizatori.