Ndërkohë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u bëri thirrje qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës që të votojnë “sa më masivisht” në zgjedhjet lokale.
Ai tha se zgjedhjet po mbahen “në një atmosferë të qetë dhe demokratike”.
“Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara”, shkroi ai në Facebook.
Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Po ashtu, qytetarët po votojnë për të zgjedhur përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.
Sakaq, KQZ bëri të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 1.000 qytetarë në katër komunat në veri të Kosovës.
Sipas të dhënave, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote.
KQZ-ja nuk raportoi për ndonjë pengesë në procesin zgjedhor.
Kjo është dalja në zgjedhje sipas komunave:
Leposaviq: 110 votues apo 0.33 për qind
Zubin Potok: 240 votues apo 3.6 për qind
Zveçan :145 votues apo 2.07 për qind
Mitrovicë e Veriut: 597 votues apo 3.3 për qind.