Probleme me pasurinë dhe aftësinë, KPA shkarkon gjyqtarin Kastriot Selita

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shkarkuar ditën e sotme nga detyra kryetarin e Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë, Kastriot Selitën.

Selita u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), por u përball sërish me procesin e Vetting-ut pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi ankimimin në KPA.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, u përball me dy denoncime të pazakonta gjatë procesit të vettingut. Ai u shigjetua nga një grup gjyqtarësh të Apelit për dy nga tre kriteret rivlerësuese, profesionalizmi dhe pastërtia e figurës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi pretendimin e ngritur nga ky grup gjyqtarësh se në vitin 2016 një trupë gjykuese me Selitën në përbërje, ka marrë një vendim në tejkalim të ligjit.

Sipas denoncuesve, verdikti në fjalë ka detyruar Këshillin e Lartë të Prokurorisë të emërojë si prokuror Bledar Valikajn, një vit pasi dekretimi i tij ishte rrëzuar me heshtje nga Presidenti i Republikës.

Në denoncimin tjetër pretendohej se gjyqtari Selita kishte kontakte me një shtetas të përfshirë në veprimtari kriminale, pretendim që, sipas KPK-së rezultonte i paprovuar.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *