Kosova sot në agjendë për anëtarësim në Këshill të Evropës

 

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendën e Komitetit të Ministrave që mbahet sot.

Këtë e ka konfirmuar këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Rejhan Vuniqi.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendën e Komitetit të Ministrave që mbahet të hënën. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, ka shkruar Vuniq në Twitter.

Mbledhja e Komitetit të Ministrave do të mbahet këtë të hënë, me fillim nga ora 14:30 pasdite.

Në agjendën e publikuar në faqen zyrtare të KiE-së, figuron si pikë 2.4 “aplikimi për anëtarësim” i një shteti.

Ndonëse nuk specifikohet se bëhet fjalë për Kosovën, Kosova është e vetmja që ka aplikuar për anëtarësim së fundmi.

Të premten, Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla u deklarua rreth kësaj çështje.

Në një deklarim pas takimit me homologun e saj suedez, Gërvalla tha se “kërkesa e Kosovës pritet që të kalojë në një kohë jo të largët nga Këshilli i Ministrave në Asamblenë Parlamentare”.

“Ne jemi shumë optimist për një proces fer ndaj Kosovës dhe shpresojmë dhe presim që së shpejti të kemi lëvizje edhe në këtë drejtim. Ne jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkojmë vetëm një anëtarësim meritor”, tha tutje.

E njëjta kishte konfirmuar se Kosova i ka votat e siguruara për pranim.

“Çfarë ka ndodhur ndërkohë është se askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja, sigurimi i votave të nevojshme për të pranuar kërkesën tonë. Votat janë siguruar dhe unë mendoj që nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë, pasi janë shterur të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga Komiteti Ministror tek Asambleja Parlamentare e KiE”, kishte deklaruar Gërvalla.

Aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës, Kosova e dorëzoi në maj të vitit të kaluar.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *