Mbrojtësit ukrainas po vazhdojnë të mbajnë pozicionet e tyre strategjike në Bahmut, tha një komandant i lartë pasi Rusia pretendoi se ka bërë përparime në këtë qytet, që ka qenë epiqendra e një beteje të ashpër disamujore për kontrollin e rajonit lindor të Donjeckut.
“Ne e godasim armikun, shpesh papritur për të, dhe po vazhdojmë të mbajmë vijat strategjike”, shkroi në Telegram Oleksandr Syrskiy, komandant i forcave tokësore të Ukrainë.
“Gjithkush këtu është hero. Rusët po pësojnë humbje të mëdha, ne po shkatërrojmë personelin e tyre dhe ofensivat potenciale”, shtoi ai.
Komentet e këtij komandanti ukrainas erdhën pasi Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 23 prill se forcat ruse kanë marrë dy qarqe në pjesën perëndimore të qytetit, i cili sipas kreut të grupit rus të mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin, është pothuajse nën kontrollin e plotë të forcave të tij.
Rusia vazhdon presionin mbi Bahmut
Ndërkaq, sipas kreut të administratës ushtarake të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, në 24 orët e fundit janë vrarë edhe dy civilë nga granatimet ruse në Bahmut, dhe dy të tjerë janë plagosur.
Në Herson, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet e tyre në territorin e kontrolluar nga Ukraina në këtë rajon jugor, tha një zëdhënëse e Forcave Jugore të Mbrojtjes ukrainase, pas raportimeve se ushtria ukrainase ka kaluar lumin Dnjepër dhe ka vendosur pozicione në bregun lindor të lumit.
Instituti për Sutidmet e Luftës – me seli në SHBA- tha më 22 prill se blogerët ushtarakë rusë “kanë ofruar pamje të mjaftueshme që tregojnë lokacionet dhe raporte tekstuale që konfirmojnë se forcat ukrainase kanë vendosur pozicione në bregun lindor të Herson Oblast më 22 prill, edhe pse nuk dihet ende se deri në çfarë shkalle dhe për çfarë qëllimi”.
Sipas këtij instituti, sipas të dhënave që kanë paraqitur blogerët rusë, ky pozicionim i forcave ukrainase nënkupton se Ukriana ka krijuar “linja të sigurta të furnizimit” për trupat e saj në rajonin e Hersonit.
Shumë ekspertë kanë thënë se forcat e Kievit kanë nisur përgatitjet për një kundërofensivë. Disa kanë thënë se Ukraina mund të tentojë të marrë territor për të penguar korridorin tokësor që forcat e Kremlinit kanë krijuar midis Gadishullit të aneksuar të Krimesë dhe Rusisë.
Megjithatë, ushtria ukrainase nuk ka pranuar të komentojë nëse forcat e saj kanë vendosur pozicione në pjesën që kontrollohet nga rusët në lumin Dnjepër./REL