BE thirrje institucioneve të Kosovës: Të finalizohet sa më shpejt Asociacioni

Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me zgjedhjet në katër komunat veriore gjatë ditës së djeshme.

BE-ja ka vlerësuar se zgjedhjet kanë qenë në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Megjithatë, kanë shprehur shqetësim pasi dalja ishte tepër e ulët.

“Bashkimi Evropian ka marrë parasysh katër zgjedhjet e djeshme për kryetar komune dhe dy zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale në komunat e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut. BE-ja pranon se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje”, thuhet në komunikatë, raporton gazeta Nacionale.

Në këtë reagim, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të finalizohet sa më shpejt që është e mundur.

“Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht. Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen. Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht e angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre”, thuhet në komunikatë.

“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, specifikohet më tutje.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për dialog serioz, në mënyrë që serbët të kthehen në polici e gjyqësi në veri.

 

 “Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre. Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për të arritur këtë objektiv. BE-ja mirëpret profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të saj për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet”, ka përfunduar komunikata për media e Bashkimit Evropian.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *