‘Bashkë Fitojmë’ zyrë elektorale afër KZAZ-së, revoltohet Kaziaj: Shikoni reklamat e PS

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka diskutuar ditën e sotme një denoncim se një zyrë elektorale e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ është ngritur pranë KZAZ-së 37 në Tiranë, e cila është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u shpreh se fillimisht do t’iu komunikohej përfaqësuesit e koalicionit për ta zgjidhur këtë me mirëkuptim. Nga ana tjetër gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i koalicionit Altin Kaziaj në mbledhje kërkoi që i njejti standart të aplikohej dhe me PS-në, pasi kanë vendosur materiale propagandistike në të gjithë vendin.

Kaziaj: Mund të shkarkojmë të gjithë vëzhguesit. Nga data 15 si qytetar mund të konstatojmë në rrugët e qytetit të Tiranës dhe në të gjitha rrugët e Shqipërisë billborde të mëdhenj.  Vetëm në rrugë dytësore Rinas Tiranë janë mbi 30, me gjuhë fyese, seksiste, bullizuese. Jua kanë raportuar këto juve? E njëjta situatë është në çdo rrugë. Keni këtë pamjen e ‘shpëtimtarit të vendit’ me ngjyra, ndërsa këta të opozitës i ka bërë pa ngjyrë se vetëm gjuhë denigruese di.  Për ‘barazi të armëve’ duhet të shikoni se çfarë bëjnë këta të mazhorancës pastaj të merreni me zyrat e ‘Bashkë Fitojmë’. Silluni në mënyrë ligjore.

Celibashi: Ne kemi vendosur shqyrtimin e denoncimeve të paraqitura nga ana juaj por edhe nga ana e disa organizatave të shoqërisë civile për mënyrën se si PS por edhe subjekte të tjera po e bëjnë këtë fushatë. Por rasti konkret që lidhet me ju është një rast i sjellë më herët. Shqyrtimet e tjera janë në radhë nesër dhe në vazhdim. Nuk ka një qasje të diferencuar për mënyrën se si silleni në fushatë elektorale. Çdo denoncim ka të gjithë vëmendjen tonë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *