Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ka përshëndetur miratimin nga Komiteti i Ministrave i KiE të kalimit në Asamblenë Parlamentare të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ajo shkruan se kjo është një arritje për Kosovën dhe Shqipërinë duke u zotuar se lobimi i Kuvendit të Shqipërisë do të vazhdojë deri në pranimin e Kosovës në organizatën më të madhe europiane.
“Një lajm i bukur nga Strasburgu. Komiteti i Ministrave miratoi sot kalimin për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kërkesa e Kosoves për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës u miratua me 33 vota, nga 31 vota të nevojshme, për t’u shqyrtuar nga Asambleja Parlamentare.
Një arritje për Kosovën, por edhe për Shqipërinë. Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë në një veprimtari intensive lobuese për tia arritur këtij qëllimi. Lobimi do të vazhdojë deri në pranimin e Kosovës në organizatën më të madhe evropiane.”, shkruan kryeparlamentarja Nikolla.