Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6., operacioni policor i koduar “Tempizëm 23”. Goditet një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe një rast i tentativës për të kultivuar bimë narkotike. Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, bashkëpunëtorë në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në banesën e njërit prej të arrestuarve u gjetën të strehuar 9 emigrantë që do të transportoheshin me pagesë, drejt kufirit me Malin e Zi. Në këtë banesë u gjetën edhe 114 kubikë me fara kanabisi, gati për t’u kultivuar. Procedohen në gjendje të lirë 9 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen 114 kubikët, 2 automjete që përdoreshin për transportimin e emigrantëve dhe 2 aparate celulare.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdolloj forme të saj, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për disa shtetas që do të transportonin emigrantë, kundrejt pagesës, me qëllim që ata të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tempizëm 23”.
Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. P., 35 vjeç, banues në Pezë Helmës, B. H., 34 vjeç, banues në Shkup, dhe A. R., 31 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. Gj., 41 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit. Ata transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Saranda në Tiranë, i strehonin disa ditë në Pezë Helmës dhe më pas i transportonin ata drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. P., u gjetën të strehuar 9 emigrantë të paligjshëm.
Gjithashtu, në oborrin e kësaj banese u gjetën 114 kubikë me fara kanabisi, gati për t’u kultivuar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete me të cilat të arrestuarit kryenin transportimin e emigrantëve të paligjshëm, 2 celularë dhe 114 kubikët.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.