Kujtim Demiri, i dënuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri me 15 vite burg është arrestuar në Greqi.
Zyra e kërkimit pranë Policisë së Tiranës në bashkëpunim me Europol arritën që të gjurmojnë në Athinë në shtetin fqinj 55-vjeçarin, ku është bërë dhe e mundur arrestimi i tij.
Demiri akuzohet për trafikim të të miturve dhe në përfundim të procedurave pritet që të ekstradohet në Shqipëri.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Capital”, për kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.
Operacioni u finalizua si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Seksionit të Kërkimit të DVP Tiranë, Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore greke.
Lokalizohet në Greqi, pas shkëmbimit të informacioneve, kapet dhe vihet në pranga 55-vjeçari i dënuar 15 vjet burgim.
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, Interpol Tirana, pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit i DVP Tiranë, për një shtetas shqiptar në kërkim ndërkombëtar që fshihej në Athinë, Greqi, ia kanë dërguar informacionet autoriteteve policore greke, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Në bazë të informacioneve të dërguara nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Capital”, është lokalizuar në Athinë, Greqi, është kapur dhe është arrestuar shtetasi shqiptar:
Kujtim Demiri, 55 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, në vitin 2010, e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi Kujtim Demiri ka kaluar në mënyrë të paligjshme, nga Shqipëria për në Greqi, një shtetas të mitur dhe nëpërmjet dhunës e ka detyruar atë që të lypë, përreth 1 vit.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi nga Greqia drejt vendit tonë.