Sekuestrohen 300 kg drogë në portin e Durrësit/ Policia shqiptare bashkëpunoi me DEA-n

Ditën e sotme në portin e Durrësit, policia ka sekuestruar plot 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me  Policinë Kufitare të Portit të Durrësit, Policinë Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit.

Mësohet se droga u gjet në një kamion që drejtohej nga shtetasi Nafiz. A, 40 vjeç, nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ishte fshehur në trupin e mjetit dhe ishte ambalazhuar me logot e disa firmave të njohura, si ‘Dior’ e ‘Chicago Bulls’, ‘Louis Vuitton’, ‘Kenzo’ e ‘PSG’.

Mësohet se kamioni me targa të Maqedonisë së Veriut ishte mbushur në Belgjikë e ishte nisur nga atje. Më pas mjeti ka kaluar në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe përmes Qafë Thanës ka hyrë në Shqipëri. Kamioni kishte dy ditë që qëndronte në Portin e Durrësit pasi po priste që të nisej drejt Italisë, për të mbërritur dhe në vendin ku kishte dhe destinacionin, Napoli. Brenda kamionit kishte hekur, pllaka dhe materiale të tjera ndërtimi, një mënyrë kjo për të kamufluar transportin e drogës. Në momentin që kamioni ka kaluar në skaner është vënë re se në trupin e tij ishte bërë ndërhyrje. Kjo ka bërë që autoritetet përkatëse të hapnin kamionin dhe të kryenin një kontroll më të detajuar.

Gjatë kontrollit në vijën e dytë të pikës kufitare të Portit u vu re diçka e dyshimtë në trupin e mjetit, i cili më pas iu nënshtrua kontrollit të imtësimshëm. Pasi u shkarkua malli, ngarkesë hekuri e cila do të shkonte drejt Italisë, në trupin e mjetit u gjetën 40 pako, të cilat ishin ambalazhuar me logon e 6 kompanive të ndryshme

Ndërkohë, shoferi i cili tashmë është arrestuar, gjatë momentit të ndalimin ai është shprehur i habitur se nuk kishte dijeni për drogën. Nga ana tjetër pritet që shoferi të merret në pyetje në prani të një përkthyesi të certifikuar, pasi ai nuk flet shqip.

Akoma nuk dihet se nga cili vend është nisur droga, por  destinacioni i lëndës narkotike ishte Italia, ndërsa ka dyshime se në këtë operacion mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë. Mësohet se policia shqiptare në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka pasur kohë në ndjekje të sasive të tilla të kokainës. Në portin e Durrësit gjatë viteve të fundit janë kapur sasi të konsiderueshme droge, kryesisht të fshehura në kamionë ose në kontenierë bananesh.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të trafikimit të drogave të forta. Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidenton dhe sekuestron rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *