Caktimi i përkohshëm i drejtuesve të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm pa një vlerësim paraprak si dhe i transferimit të prokurorëve të tjerë në Apel pa garë, u bë objekt debati mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, në mbledhjen e të hënës më 24 prill. Në rendin e ditës së mbledhjes plenare ishin përcaktuar për t’u trajtuar projekt- aktet për caktimin e përkohshëm të dy prokurorive, atë të Dibrës dhe Gjirokastrës, që u relatuan nga anëtari Bujar Sheshi.
Pas miratimit të ndërprerjes së caktimit të përkohshëm në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Dibrës të prokurorit Rifat Kojku, për shkak të kërkesës së tij për heqje dorë nga ky funksion për arsye shëndetësore, KLP shqyrtoi projekt-aktin për caktimin e një tjetër prokurori në krye të kësaj prokurorie.
Sheshi vërejti se në Dibër e ushtrojnë funksionin katër prokurorë, tre nga të cilët kanë filluar punë rreth tre vite më parë dhe nuk plotësojnë kriterin për të pasur eksperiencë 7-vjeçare për t’u caktuar në rolin e drejtuesit. Sipas Sheshit, i vetmi që plotëson kriteret është prokurori Urim Buci, i cili e ka filluar detyrën në vitin 2015. Anëtari Sokol Stojani vërejti se pas një jave do të kryhet ristrukturimi i prokurorive sipas hartës së re gjyqësore dhe se prokuroria e Dibrës do të bashkohet me të tjera prokurori, ku sipas tij mund të ketë edhe prokurorë të tjerë që i përmbushin kushtet për t’u caktuar në rolin e drejtuesit.
Sheshi ndërhyri duke theksuar se edhe pas bashkimit, Buci ka përvojën e duhur dhe e njeh me mirë Dibrën. Në përfundim, KLP vendosi të miratojë projekt-aktin e paraqitur nga Sheshi për caktimin e përkohshëm të prokurorit Urim Buci në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Dibrës. Akti u miratua me 10 vota pro, ndërkohë që anëtari Sokol Stojani votoi kundër.
Në vijim u kalua në diskutimin për miratimin e projekt-aktit për caktimin e përkohshëm të prokurorit Julian Çafka në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Gjirokastrës. Anëtarja Mirela Bogdani propozoi që për të gjithë prokurorët që caktohen si drejtues të përkohshëm, të ketë paraprakisht një vlerësim që të rikonfirmohen. Sheshi e cilësoi specifik rastin e Gjirokastrës, duke sqaruar se Çafka është i vetmi që plotëson kriteret për ta ushtruar funksionin e drejtuesit. Ai shtoi se ky prokuror nuk ka dashur në të gjitha rastet që të caktohet si drejtues, por ka pranuar bazuar edhe në nxitjen e vetë KLP-së.
Anëtari Zeqir Hoda konstatoi se Çafka ka rreth katër vjet që caktohet si drejtues i përkohshëm në Gjirokastër, ndërkohë që mandati i plotë për rolin e drejtuesit të emëruar është 3 vjet. Sipas anëtarit Hoda, do të ishte e nevojshme që pas kalimit të një afati 3 vjeçar në këtë pozicion, të kryhet vlerësim. Lidhur me këto situata, Hoda vërejti se KLP është prapa në kohë edhe për shkak se nuk ka një rregullore. Ai këmbënguli që të paktën të ketë një vlerësim të performancës. “Nëse do kemi drejtues për një afat mbi tre vite, mendoj se vlerësimi është i arsyeshëm,” pohoi Hoda.
Anëtarja Nurihan Seiti konstatoi se e njëjta situatë shfaqet edhe në transferimin e prokurorëve të shkallës së parë në atë të Apelit. Ajo kërkoi që të hapet gara për transferimin e prokurorëve në Apel. Kryetari i KLP-së, Alfred Balla deklaroi se nuk kishte pengesa për të hapur garën dhe theksoi se do ta bënin një gjë të tillë.
Ndërkohë, KLP miratoi në vijim projekt-aktet për caktimin e përkohshëm në Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të prokurorëve Pranvera Gruda, Elidjana Kasa dhe Kujtim Basha. Miratimi u bë me shumicë votash, pasi një pjesë e anëtarëve nuk morën pjesë në votim, ndërsa anëtarja Seiti duke mos rënë dakord për transferimin në Apel pa garë, votoi kundër.
Në seancën plenare të hënën u miratuan ndër të tjera edhe projekt-akti për ristrukturimin e KLP-së; si dhe raportet për analizën e aftësive profesionale për 6 prokurorë, që do t’i përcillen KPK-së në kuadër të procesit të vetingut të magjistratëve./KLP