Pasditen e së enjtes u mblodhën në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës studentët e brezit të tretë, të diplomuar në vitet 2008- 2011. Gjatë ceremonisë së mbajtur u shpall fitues i Çmimit të Karrierës Shpat Kolgega, Drejtori i Filialit Tiranë në Postën Shqiptare.
Kolgega për rreth një dekadë ka krijuar eksperiencat e veta profesionale në disa fusha, si gazetari, politikë, organizata rajonale dhe administratë. Në vitin 2013, Kolgega e ka filluar karrierën në administratën publike, si specialist i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ndërsa në vitet 2017-2019 ka shërbyer si zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Qeverinë Shqiptare.
Të gjithë studentët e diplomuar në UET, kanë zhvilluar karrierën dhe kanë prekur suksesin në fusha të ndryshme, si: biznes, administratë publike, sektorin privat, media, organizata ndërkombëtare, shoqëri civile etj. UET Alumni shihet si një hallkë e fortë, që suksesi i të diplomuarëve të vijojë edhe në brezat e rinj që dalin nga dyert e UET-së. Për presidentin e UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, takime të tilla janë një mënyrë e mirë për të komunikuar me shoqërinë, pasi përmes ish-studentëve plotësohet misioni për të cilin themeluesit e UET-së ndërmorën hapin kurajoz të krijimit të këtij institucioni.
“Kemi detyrim të kontribuojmë, që edhe brezat e rinj të diplomuar të integrohen. Bashkëpunimi dhe mbështetja juaj janë edhe një detyrim, që kemi ndaj familjes ku jetojmë sëbashku, dhe komunitetit të cilit i përkasim. Dija juaj na ndihmon shumë të përmirësohemi edhe në fushën akademike, të pasurojmë kurrikulën mësimore, të sjellim dijen që kërkohet nga tregu”, tha Xhepa.
Ndërsa Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, gjatë fjalës së tij, e vuri theksin në bashkëpunimin e krijuar ndër vite mes stafit akademik, administratës dhe studentëve, i cili ka shërbyer si gur themeli për krijimin e institucioneve të reja apo ndërmarrjen e nismave madhore. Gjuraj i cilësoi ish-studentët, si ambasadorët e universitetit, që flasin më mirë për suksesin që ka ky institucion.
“Ju jeni në fakt e ardhmja e këtij universiteti, sepse jeni imazhi i vërtetë e këtij institucioni në tregun e punës. Jeni ambasadorët tanë jashtë këtyre mureve. Jeni të mirëpritur dhe dëshirojmë fort të avanconi projekt-ide për zhvillimin e institucionit, i cili rritet me kalimin e viteve. Në këtë kuptim them që jeni e ardhmja e UET-së, sepse pa projektet, idetë, lobimet tuaja”, tha Gjuraj.
Administratori i UET, Tildi Çadri kërkoi nga studentët që t’i bashkangjiten të ardhmes së UET-së, i cili do të hyjë në një stad të ri progresi, ku përveç instalimit në një kampus të ri, me më shumë hapësira, komoditete për studentët, do të ketë inovacion edhe në programe të cilat do të vijnë në gjuhën angleze, për të mundësuar akses, jo vetëm të studentëve shqiptarë, por edhe për ata të huaj.
“Jeni referenca më e mirë për çdo student tonin dhe besoj barometri më i saktë i cilësisë sonë. Jeni lobistët më të mëdhenj të universitetit dhe si të tillë efektoni drejtpërdrejtë në tregu e punës, duke garantuar në suksesin e universiteti. UET do t’ju mirëpresë kurdoherë për çdo propozim, referencë, projekt-ide, duke ju vënë në dispozicion habitatin e duhur për të përjetësuar projektin tuaj”, tha Çadri, duke e mbyllur fjalën me shprehjen e Çarls Dikens: “Çdo udhëtar ka një shtëpi të vetën dhe mëson ta dojë atë më shumë, sa më shumë që udhëton nëpër botë”.
Teksa kujtoi disa momente nga auditorët e universitetit, fituesi i Çmimit të Karrierës, Shpat Kolgega theksoi ato që i cilësoi si privilegjet e të studiuarit në një universitet privat si UET.
“Ne patëm fatin të ishin në një universitet, ku liria e mendimit ishte te studentët. Liria e mësimdhënies ishte te pedagogët. Kishim një lloj lirie që na ndihmoi të dilnim jashtë kornizave dhe të ecnim përpara, ku përveç dijes, u bazuam edhe te rrjeti që krijuam, nëpërmjet aktiviteteve që zhvilloheshin në UET. Kjo ka qenë pika kryesore që më ka ndihmuar edhe mua”, tha Kolgega.
Çmimi i Karrierës synon të vlerësojë dhe promovojë arritjet e ish-studentëve të diplomuar pranë Universitetit Europian të Tiranës.
Të nominuarit e Çmimit të Karrierës
Aida Maho
Erlis Hereni
Edi Vlusha
Roland Spahiu
Viliem Kurtulaj
Anisa Gjini
Ledia Meta
Erinda Fiku
Shpati Kolgega
Xhensila Frasholli