Bato Dalipaj punonjësi i bashkisë së Patosit, i cili denoncoi dje se u dhunuar nga përgjegjësi i ndërmarrjes, Petrit Pëllumbi, për shkak se nuk plotësoi formularin ku detyrohej së bashku me familjen që të votonte për PS-në, ka reaguar sërish mbi ngjarjen e rëndë.
Nga ambientet e spitalit të Fierit, ku pret që t’i bëhet ekspertiza mjekoligjore, Dalipaj është shprehur se gjithë natën e ka kaluar me dhimbje të forta koke.
Ai thotë se pushteti nuk mund të merret me dhunë, dhe se ndihet i braktisur nga të gjitha institucionet shtetërore.
‘Pushteti nuk mund të merret me dhunë, nuk më ka kontaktuar njeri dhe as më kanë kërkuar ndjesë. Ndihem i braktisur, shteti duhet që të reagojë. Gjithë natën jam gdhirë me dhimbje, familjarët e mi janë shumë të revoltuar”, thekson Dalipaj.
Dalipaj nënvizon se nuk ka pasur konflikt me persona të tjerë gjatë punës së tij, dhe se ngjarja lidhet tërësisht me faktin që ai nuk plotësoi formularin.
“Nuk pranova të plotësoj formularin që më dhanë në zyrë. Formulari kishte të bënte me zgjedhjet. Në këtë punë kam 10 muaj me kohë të pjeshme. Nuk kam pasur konflikte me askënd. Petrit Pëllumbi më qëlloi nga pas, më ndoqi në korridor”, ka thënë më tej Dalipaj.