Në një deklaratë për mediat kreu i Rithemelimit, Sali Berisha është shprehur se kryeministrit Edi Rama nuk ja mban të ballafaqohet me të, pasi ai do t’i rendiste të gjitha vjedhjet dhe aferat ku është përfshirë ai dhe kabineti i tij qeverisës. Gjatë fjalës së tij Berisha kërkoi nga mediat që të mos ftojnë në studio një person që i shmanget llogaridhënies para popullit.
“Jam këtu gjithashtu për t’u bërë thirrje medieve, të mos pranojnë në studio asnjë kandidat për qeveritar vendor që refuzon ballafaqimin me kundërshtarin.
Ballafaqimi me kundërshtarin është detyrim madhor moral përpara qytetarëve.
Ky ballafaqim, jo që nuk ka njohur zhvillime pozitive, por është zhdukur nga ekranet tona.
Njeriu që vrau ballafaqimin është Edi Rama. Atij nuk ia mban të ballafaqohet me Sali Berishën, se e di se si del nga ai ballafaqim.
Atij nuk ia mban të vijë në studio dhe t’ia rreshtoj një nga një veprat e rënda penale.
Atij nuk ia mban të vijë në studio dhe t’ia numëroj gjobat e tmerrshme në arbitrazh që mund të arrijnë në 1.6 miliardë euro.
Atij nuk ia mbën të vijë në studio dhe t’ia numëroj të gjithë tenderat e familjes së tij, të vëllait, thjeshtrës dhe baxhanakut të tij.
U bëj thirrje medieve të mos pranojnë asnjë njeri në studio që nuk është i gatshëm për ballafaqim. Unë e kuptoj se kjo do ketë ndikim në aktivitetin e studiove, por kjo do i nderojë studiot dhe do i lartësojë ato shumë më tepër. Sikundër kërkoj nga kandidatët e PD-së, që të jenë të hapur ndaj medieve, cilitdo që do të ndjekë veprimtarinë e tyre elektorale.
Ftoj kandidatët e PD-së të përgatiten për debate, qoftë në sheshet e qyteteve, qoftë në sallat e qyteteve, qoftë në studio televizive me rivalët e tyre. Ftoj shoqërinë civile të ndikojë me të gjithë potencialin e saj në inkurajimin e debateve mes rivalëve.
Edi Rama, të duket se është në lojën e fundit të tij politike dhe ka mbyllur çdo lloj transparence. E pret fundi që meriton.”, deklaroi Berisha.