“Jo armë bërthamore në Korenë e Jugut” Arrihet marrëveshja me SHBA-në

Koreja e Jugut ra dakort të mërkurën të mos krijojë një program të vetin bërthamor, në shkëmbim të një roli më të madh vendimmarrës në planet e Shteteve të Bashkuara në rast të një sulmi bërthamor të Koresë së Veriut dhe të një pranie më energjike të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Marrëveshja është pjesë e të ashtuquajturës Deklarata e Uashingtonit e njoftuar të mërkurën, ndërsa Presidenti Joe Biden ka mirëpritur Presidentin koreanojugor Yoon Suk Yeol në një vizitë shtetërore për të festuar 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe për të diskutuar të ardhmen e aleancës.

Në një seancë informimi për gazetarët të martën, zyrtarë të lartë të administratës thanë se sipas Deklaratës së Uashingtonit, Seuli do të “ruajë statusin jobërthamor dhe do të vazhdojë t’u përmbahet të gjitha kushteve si palë e Traktatit të Mospërhapjes”. Ky traktat, të cilin Koreja e Jugut e ratifikoi në vitin 1975, ua ndalon vendeve anëtare prodhimin e armëve bërthamore.

Dy vendet do të krijojnë gjithashtu Grupin Konsultativ Bërthamor SHBA-Koreja e Jugut (NCG), një “mekanizëm konsultimi të rregullt dypalësh që do të përqëndrohet tek çështjet e planifikimit bërthamor dhe strategjik dhe do t’u japë aleatëve koreanojugorë qasje të mëtejshme tek mënyra se si ne mendojmë për planifikimin e operacioneve të mëdha”, shtoi një zyrtar i lartë.

Kërcënimet bërthamore në rritje të Koresë së Veriut, së bashku me shqetësimet për vendosmërinë ushtarake dhe ekonomike të Kinës në rajon, e kanë shtyrë administratën e Presidentit Biden të zgjerojë aleancën e saj me vendet aziatike.

Gjatë vitit të kaluar, Koreja e Veriut ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e saj bërthamor, ndërsa Kina dhe Rusia në mënyrë të përsëritur bllokojnë përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të ashpërsuar sanksionet ndaj Veriut për morinë e provave të ndaluara të raketave.

Presidentët Biden dhe Yoon, si dhe ndihmësat e tyre, diskutuan edhe për luftën në vazhdim të Rusisë në Ukrainë. Administrata e Presidentit Biden ka lavdëruar Korenë e Jugut për dërgimin e rreth 230 milionë dollarëve ndihma humanitare në Ukrainë, por Presidenti Biden do të mirëpriste që Seuli të merrte një rol edhe më të madh për të ndihmuar ukrainasit të zmbrapsnin Rusinë./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *