Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është pyetur nga gazetarët lidhur me efektin në çmim, që do të ketë kalimi nga kompani private në publike për prodhimin e pasaportave dhe kartave të ID.
Çuçi u shpreh se me “IdentiTek” do mund të ketë fleksibilitete dhe shteti do mund të ndërhyjë më tepër për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.
“Është një marrëdhënie kontraktore me kompaninë e cila mbaron në fund të korrikut të këtij viti. Dhe ne si qeveri, do përfundojmë kontratën dhe do të marrim në dorëzim të gjithë kompaninë e prodhimit të kartave. Pastaj, vendosja e çmimit, sigurisht, mbasi ne ta marrim në administrim këtë kompani, çështja e çmimit është një çështje që vendoset. Dhe jemi shumë më fleksibël për t’i vendosur dhe për t’i ndryshuar çmimet se sa më përpara, kur fiksohej me një kontratë të caktuar që miratohej me ligj, dhe do duhej që përveçse të negocioje me kompaninë, do të duhej të ndryshoje edhe ligjin. Kështu që jemi shumë fleksibël, dhe kjo jo domosdoshmërisht lidhet me ndryshimin e ligjit. Pa diskutim për dokumentet e identitetit do të shohim hapësirat tona për t’ia lehtësuar në maksimum shtetasve.” – tha Çuçi.