Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun kroat ai u pyet edhe lidhur me situatën në Kosovë.
Begaj u shpreh se Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa theksoi se nuk diskutohet integriteti territorial i saj.
“Liderët e Ballkanit duhet të sillen jo si politikanë, por si shtetar. Njerëzit duhet të kuptojnë që duhen lënë mënjanë retorikat boshe, nacionaliste që nuk i shërben askujt përveçse rritjeve të tensionit në rajonin tonë. Për mua si president, Kosova është i një interes madhor. Kosova është një shtet sovran, i pavarur dhe se integriteti territorial i Kosovës nuk mund të vihet në dyshim. Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë e ka vendosur, kjo nuk është çështje dëshire apo individësh, Individët të lënë mënjanë retorikën e konflikteve”, tha Begaj.
Sakaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç u shpreh se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt. Për Serbinë ai cilësoi se është në pozitë politike skizofrenike dhe ka fantazi për raportet me Rusinë.
“Shpresoj që ky moment para se të rriten nipërit e mbesat tona. Sa i përket Kosovës, është një realitet. Disa vende nuk e kanë pranuar por nuk dinë ta arsyetojnë qëndrimin e tyre. Ndonjëherë është e mirë, ndonjëherë e rrezikshme. Shprehitë janë të ndryshme, Kroacia e ka pranuar Kosovën. Ky është një realitet. Do bëjmë çdo gjë që mundemi dhe asnjëherë me synimin e provokimit të Serbisë por që t’i ndihmojmë. Nuk duhet vlerësuar cfarë është në interesin e Serbisë por realiteti është që Kosova është vend i Europës dhe Serbia gjendet në një pozitë politike skizofrenike. Në një anë kanë fantazi për raportet me Rusinë, me të cilën Serbia është etiketë e vogël. Raportet duhet të drejtohen në rrugën e duhur që nuk është drejt greminës por do ta bëjë edhe Serbinë më mirë. E di çfarë është interesi ynë e i Shqipërisë, normalizimi i marrëdhënieve. Kosova është në rrugë të mirë”, tha Milanoviç.