Zhdukja e Thodhorit dhe Sulovarit/ Në pranga një person, dyshohet se…

Policia e Sarandës ka zbatuar ditën e djeshme një vendim të Gjykatës së Sarandës për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për një shtetas 28-vjeçar nga Saranda. Ai dyshohet se ka dijeni mbi emrat që fshihen pas zhdukjes së 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi.

Rreth orës 04.00 të mëngjesit të së enjtes forcat e policisë kanë ndaluar Sofokli Baxherrin, 28 vjeç, banues në Sarandë. Ndaj tij rëndon vepra penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Burime bëjnë me dije se ky shtetas dyshohet t’u ketë dhënë me qira autorëve të zhdukjes së Leonard Thodhori e Fatmir Sulovarit dhe vendosjes së eksplozivit tek banesa e Lefter Lefterit alias Afëz Kulla, një banesë e garazh në fshatin Nivicë të Bashkisë Himarë.

28-vjeçari mësohet se ka “kyçur” gojën para oficerëve të policisë gjyqësore dhe nuk është treguar bashkëpunues me ta lidhur me emrat e personave të cilëve u ka vënë në dispozicion mjedisin. Pikërisht në pronën e Baxherrit policia ka gjetur automjetin tip “Mercedes-Benz” E Class që dyshohet se është përdorur për rrëmbimin e dy 46- vjeçarëve, por edhe të vendosjes së eksplozivit të banesa e Lefter Lefterit në dhjetor 2022. Edhe pse këto dy ngjarje nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, policia dyshon se janë kryer nga të njëjtët autorë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *