Autoritetet italiane kanë njoftuar arrestimin e një bosi të madh të mafias Ndrangheta, pasi ai kaloi gati pesë vjet në arrati.
Pasquale Bonavota, 49 vjeç, i cili përfshihej në listën e kriminelëve më të rrezikshëm të policisë, ishte kërkuar që në nëntor të 2018-s pasi i kishte shpëtuar një urdhër-arresti për vrasje.
Ai u arrestua në qytetin port të Genovas, thanë oficerët. Mediat lokale thanë se Bonavota po largohej nga katedralja e qytetit kur u arrestua dhe mbante një ID false.
Bonavota konsiderohet truri i klanit Bonavota të Ndranghetas, i cili përfshin dy vëllezërit e tij, me bazë në zonën Sant’Onofrio të provincës kalabreze të Vibo Valentia, raportoi Guardian.
Klani vepron gjithashtu rreth Romës dhe në rajonet veriore të Piemonte dhe Liguria.
Ndrangheta është mafia më e fuqishme dhe më e pasur e Italisë, që kontrollon pjesën më të madhe të kokainës që derdhet në Evropë. Ajo operon në më shumë se 40 vende.
Bonavota doli në arrati pak pasi u dënua nga një gjykatë me burgim të përjetshëm për dy vrasje të kryera më 2014 dhe 2004 të një anëtari të rangut më të ulët të klanit të tij dhe një shefi rival të një klani tjetër.