Një konflikt mes disa personave ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit pranë një lokali në QSUT. Një grup të rinjsh janë zënë me njëri-tjetrin ndërsa njëri prej tyre ka qëlluar në ajër me pistoletë por nuk raportohet për të lënduar.
Ndërkohë, policia njofton se ka bërë të mundur kapjen e autorit, shtetasit Xh. C., 37 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë.
Njoftimi i policisë:
U konfliktua fizikisht me disa shtetas dhe më pas qëlloi njëherë në ajër me armë zjarri, identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në Rrugën e Dibrës, kishte ndodhur një konflikt, gjatë të cilit një shtetas, kishte qëlluar në ajër me armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, brenda një kohe rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë kapur dhe arrestuar shtetasin Xh. C., 37 vjeç.
Shtetasi Xh. C., rreth orës 03:00, së bashku me shtetasit F. Xh., A. Xh., M. K., dhe E. C., janë konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit K. K., V. Q., F. N., A. N., dhe gjatë konfliktit shtetasi Xh. C., ka qëlluar më armë zjarri në ajër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.