Ish-kryeministri Sali Berisha nga Librazhdi, prezantoi kandidatin e koalicion ‘Bashkë Fitojmë’, Shefki Çota.
Gjatë fjalës së tij Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se i dalin qindra miliona euro në kompanitë offshore nga tenderat e tij, baxhanakut, thjeshtrës dhe vëllait të implikuar në dhjetëra afera. Po ashtu tha se Rama kërkon që të mashtrojë shqiptarët me zorrën qorre në gojë.
“I them Edi Ramës hajde dalim bashkë në studio dhe merr ç’të kesh për Sali Berishën dhe unë ç’kam për ty. Nuk ia mban, jo vetëm nuk del vetë, por nuk le asnjë prej kandidatëve të tij. Nuk ia mban se i dalin qindra milionë euro të fshehura offshorë, i dalin qindra tendera të baxhanakut, thjeshtrës, i del vëllai i implikuar në shumë afera. I del firma e tij në 420 milionë euro për djegësat, i del firma për Durrësin.
Më ka thënë njëherë një avokat i famshëm amerikan: kam pasur shumë klientë që kishin vjedhur nga 1 miliard dhe duhej t’i mbroja, por secili ishte i gatshëm të vidhte edhe 1 miliard tjetër.
Ua thashë këtë sepse këta nuk kanë të ngopur në asgjë. Tani duhet të bashkohemi. Të votojmë Shefki Çotën. Ai është një përfaqësues i denjë i juaj, një menaxher i shkëlqyer, një familjar shembullor, një njeri i aftë, një qeveritar i vërtetë.
Por edhe një qytetar njëlloj si ju. Vërtet ju votoni për veten tuaj dhe në këto zgjedhje, të votosh Edi Ramën, do të thotë të votoni për thellimin e varfërisë, për dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Por përsëri, qeverisja vendore ka shumë në dorë të ndryshojë për mbarë jetën tuaj. Ka shumë në dorë të nxisë lulëzimin e biznesit, të përgjysmojë taksat. Kjo do të thotë dyfishim punësimi. Të bëjë gjithçka për ndarjen e drejtë të buxhetit deri në zonat më të largëta.
Çfarë bën ky para jush, në vend që të paraqesë se çfarë ka bërë për Librazhdin në 10 vite në pushtet, ky vjen me zorin qorre në gojë dhe kërkon t’u mashtrojë ju. Ai le ta mbajë për veten e vet, po këtu një njeri normal vjen dhe jep llogari. Qytetarët presin se çfarë ke bërë ti dhe çfarë do bësh për vitet e ardhshme. Duke pasur si trashëgimi vjedhjen e tmerrshme të qytetarëve, dëbimin e 1 milion shqiptarëve në tetë vite, duke pasur si trashëgimi arrestimin e 38 mijë shqiptarëve për një vit, ai nuk del dot përpara jush.
I bëri premtimet, ju kujtohet. Ujë 24 orë dhe legalizime brenda mandatit. Ja ku është uji, ja ku janë legalizimet. Vetëm mashtrime. Tani përpiqet që të gjithë kërkesën e llogarisë që çdo njeri ia bën atij, ta bllokojë me banalitet, me vulgaritet. Ndaj ne ta lëmë atë me atë në gojë dhe të votojmë për veten tonë, të votojmë për Shefki Çotën”, tha Berisha.