Papa Françesku po zhvillon një vizitë në Hungari ku falënderoi hungarezët për mirëpritjen e refugjatëve ukrainas dhe u kërkoi atyre të ndihmojnë këdo që ka nevojë.
Ai bëri thirrje për një kulturë bamirësie në një vend, ku kryeministri ka justifikuar politikat e forta kundër imigracionit me frikën se migrimi kërcënon kulturën e krishterë të Evropës.
Në ditën e dytë të një vizite në Hungari, Papa Françesku u takua me refugjatë dhe njerëz të varfër në kishën Shën Elizabeth.
Mes refugjatëve që u takuan me Papën në Hungari pati edhe qytetarë ukrainas që u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.
Duke folur në Kishën Shën Elizabeth në Budapest, Papa Françesku kujtoi se Ungjilli i udhëzon të krishterët të tregojnë dashuri dhe dhembshuri ndaj të gjithëve, veçanërisht atyre që përjetojnë varfëri dhe dhimbje dhe “madje edhe atyre që nuk janë besimtarë”.
Po ashtu, Papa Françesku u takua me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Ruse në Hungari, Mitropolitin Hilarion. Vatikani tha se takimi 20-minutësh në ambasadën e Selisë së Shenjtë në Budapest ishte “i përzemërt”.
Mbështetja e kishës ruse për luftën e Kremlinit ka qenë një pengës për një takim të Papa Françeskut me Patriarkun Kirill, kreun e Kishës Ortodokse Ruse dhe një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin.
Qeveria hungareze e kryeministrit Viktor Orban ka refuzuar vazhdimisht azilkërkuesit nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Megjithatë rreth 2.5 milionë ukrainas që u larguan për shkak të luftës në vendin e tyre drejt Hungarisë, i kanë gjetur dyert e hapura.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rreth 35 mijë refugjatë ukrainas kanë gjetur strehim të përkohshëm në Hungari./VOA