Ditën e djeshme në portin e Durrësit u sekuestruan 324 kg kokainë të fshehura brenda një kamioni me targa maqedonase, i cili gjithashtu transportonte materiale ndërtimi si hekur dhe pllaka. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim midis DEA-s amerikane dhe policisë shqiptare kishte kaluar në mënyrë tranzitore në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe përmes Qafë Thanës kishte hyrë në Shqipëri. Mbas një qëndrimi 2 ditor në portin e Durrësit mjeti i tonazhit të rëndë do të udhëtonte drejt Italisë.
Dyshohej se kamioni ishte mbushur në Belgjikë, por sot duket se hetimet kanë marrë një zhvillim të ri. Por tani hetuesit po ndjekin një pistë tjetër pasi kanë mësuar se në pikën kufitare të Qafë-Thanës, nga skaneri i kryer kamioni ka rezultuar i pastër dhe më pas ai ka qëndruar për 2 ditë në Shqipëri. Ndërkohë veç hetimeve për personat e tjerë të përfshirë, po verifikohen edhe doganierët e Qafë-Thanës, të cilët mund të kenë lejuar kalimin e kokainës, duke plotësuar dokumentacionin pa bërë kontrollin e nevojshëm. Prokuroria ka shtrirë hetimet edhe në Shqipëri dhe në institucionet doganore për ngarkesën me 324 kg kokainë të kapur dje në Portin e Durrësit.
Nga pamjet dhe informacionet e deri tanishme rezulton se kokaina ishte e ndarë në 17 pako kokainë pa logo, 24 të tjera me ‘Dior’, 53 me stemën PSG, 44 me logon Tigri, 14 me stemën X King Lion, 50 të tjera stemën e klubit të basketbollit Chicago Bulls dhe 98 të stampuara me logon Velho Barreiro, me të cilin ishte ambalazhuar sasia 400 kilogramë e kapur në Kosovë 17 majin e kaluar.
Kamioni me targa maqedonase dhe shoferi Nazif Ajrofski, tashmë i arrestuar, ndodheshin në Shqipëri prej 2 ditësh. Sa i përket itinerarit të ndjekur fillimisht u mendua se është nisur nga Belgjika për të mbërritur në Serbi dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, por burime zyrtare bëjnë me dije se kamioni ka hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Qafë Thanës, ku nga kontrolli në skaner rezultoi i pastër. Kamioni aktualisht është në sekuestro policore ndërkohë që autoritetet italiane kanë marrë njoftim nga homologët shqiptarë dhe kanë ushtruar kontrolle respektive në Napoli, i cili ishte destinacioni final.
Për momentin në pranga është vënë vetëm drejtuesi i kamionit, i cili në deklaratën e tij është shprehur se “Nuk kam pasur dijeni për lëndën narkotike që ndodhej në kamion”, duke theksuar se merret vetëm me transportin e hekurit.