Korça dhe Berati janë qytetet më të bukura në Shqipëri me turizëm dhe bujqësi të zhvilluar, por të dy qarqet kanë pësuar një ritëm më të lartë të mbylljes së njësive të vogla të biznesit në raport me tjerat nga viti 2014 në vitin 2021.
Të dhënat nga INSTAT treguan se në të gjithë vendin ushtruan aktivitet 106,681 biznese (me 1-4 punonjës) në vitin 2021, me rënie 1.4% në raport me vitin 2014, por në disa qarqe rënia ishte më e madhe dhe disa kishin rritje.
Në harkun kohor të 7 viteve, bizneset e vogla në Qarkun e Korçës u reduktuan me 21%, Berati u rendit i dyti me një rënie mbi 13% dhe Gjirokastra me 11%.
Të dhënat krahasuese nga INSTAT tregojnë se rënia e numrit të bizneseve të vogla në qarqet turistike vjen si rrjedhojë e tkurrjes së popullsisë.
P.sh. Korça renditet si qarku me rritjen më të madhe ekonomike në dekadën e fundit duke qenë e dyta, pas Tiranës për të ardhurat për frymë, por njëkohësisht ka tkurrjen më të madhe të popullsisë për shkak të emigracionit të brendshëm dhe të jashtëm.
Dimri i gjatë dhe largësia me kryeqytetin kanë shkaktuar gjithnjë një largim më të lartë të popullsisë nga ky qark në raport me të tjerët.
Gjithashtu edhe në Berat rënia e bizneseve të vogla lidhet me zhvillimet demografike. P.sh. qarku i Beratit shënoi tkurrjen më të madhe vjetore të popullsisë në vitin 2021 me një pakësim prej 2500 personash. Qarku i Beratit gjithashtu normat më të larta të emigrimit të brendshëm, çka po shoqërohet me rënie të lindjeve dhe për rrjedhojë me uljen e bizneseve të vogla.
Edhe pse qarku po përjeton një rritje nga viti në vit të numrit të vizitorëve të huaj, bizneset e vogla kanë ardhur më rënie. Më së shumti janë reduktuar bizneset në fushën e tregtisë në zona rurale, kurse në qytetin e Beratit dhe zonat afër ka një rritje të ndejshme të bizneseve që ofrojnë shërbime për turistët mësohet nga të dhëna më të detajuara nga bashkia e Beratit.
Në të kundërt qytetet e Kukësit dhe Durrësit panë rritjen më të madhe të numrit të bizneseve të vogla gjatë 7-vjevarit të fundit me nga 14% secila.
Në Durrës, ecuria pozitive e njësive të vogla të biznesit po mbështetet nga rritja popullsisë dhe turizmit. Durrësi dhe Tirana, me gjithë pakësimin e popullsisë në rang kombëtar, vijojnë të jenë qendra graviteti për migrimin e brendshëm.
Në qytetin e Kukësit, rritja e numrit të bizneseve të vogla lidhet me së shumti me një aksion formalizmi që u krye në vitin 2015-2016. Qarku i Kukësit është i vetmi nga 12 qarqet e vendit që ka shënuar rënie ekonomike përgjatë dekadës së fundit./Monitor