Nga Klara Dervishi
A ishte vendimi për liberalizimin e vizave me Kosovën shpërblimi i parë për Albin Kurtin edhe pse dihet qartë se kosovarët e kanë merituar me kohë këtë të drejtë. Analizat thonë se një nga kërkesat e kurtit për të “firmosur” marrëveshjene Ohrit ka qënë edhe kjo megjithëse do të ishte e padrejtë të negociosh mbi një “detyrim” të vonuar nga Brukseli. Më tej vota për në KiE dhe refuzimi jo surprizues i serbëve treguan se sa e brishtë është ajo që mund të quhet “mosrefuzimi ose mos bllokimi i serbëve për anëtrësimet e Kosovës”. Një gjë është e qartë për të gjithë dhe jo vetëm për Kosovën por edhe për ndërkombëtarët: Serbia do të bëj të gjitha përpjekjet për ta bllokuar Kosovën sa herë do ta ketë këtë mundësi. Strategjia e Vuçiç duket se edhe me ndihmën e ngushtë të Rusisë do vijoj të përpiqet pse jo edhe ta realizojë bllokimin e integrimit të Kosovës. Unë kam biseduar këtë herët me ish ambasadorin shqiptar në OKB zotin Agim Nesho.
1. Zoti Nesho, a ishte vendimi për liberalizimin e vizave “shpërblimi” i parë që Kosova mori pas firmosjes së marrëveshjes së Ohrit Zoti Nesho?
Më së fundi, vendimi i Parlamentit Europian për ti dhënë të drejtë Kosovës për të qarkulluar lirshëm në zonën Shengen është vendimi i duhur, por dhe shumë i vonuar. Bashkimi Europian e kishte aplikuar këtë politikë për të promovuar edhe vende të tjera, si Ukraina, Gjeorgjia, të cilat kanë një orientim perëndimor dhe pro integrimit europian. Kosova ishte penalizuar pa të drejtë nga kjo e drejtë ndoshta për ta përdorur dhënien e kësaj të drejte si ‘shpërblim’ ose si presion për të pranuar kërkesat e perëndimit në arritjen e marrëveshjes së normalizimit me Serbinë.
2. Ndërkohë si e shihni ecurinë e asaj që quhet zbatimi i marrëveshjes?
Ecuria e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë duket si një proces i gjatë dhe i vështirë, pavarësisht forcës shtytëse të vendeve perëndimore. Ajo që i mungon këtij procesi është vullneti politik i nacionalistëve serbë, të cilët nuk duan procesin e normalizimit por duan të përfitojnë nga ky proces duke marrë cështjen e asosiacionit të komunave serbe. Interesat e Serbisë janë që ta mbajnë Kosovën dhe procesin për njohjen e Kosovës në kushtet e një konflikti të ngrirë, ku ata të përfitojnë sa më shumë nga lëshimet e perëndimit dhe institucionet e Kosovës. Situata gjeopolitike sot në botë si dhe konflikti Rusi-Ukrainë kanë ngritur interesin dhe përgjegjësinë e Perëndimit për të mos lënë Ballkanin në zonën e influencave Ruse. Me kohë Rusia ka punuar për të zgjeruar interesat e saj në Ballkan duke rritur bashkëpunimin me Serbinë, Republika Srpska por edhe duke qenë aktiv që interesat e tyre të shtrihen sa më gjerë në Bosnjë, Mali i Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Zgjidhja oportune dhe pragmatiste e BE dhe Perëndimit në këto momente është kujdesi për të mos lënë Beogradin të bëhet pjesë e plotë e zbatimit të interesave ruse në Ballkan. Prandaj Serbia ndjehet e privilegjuara e momentit, gjë që vihet re në lëshimet e vazhdueshme që i bëhen Beogradit dhe në disa raste edhe në dëm të interesave të Kosovës.
3. Në nje intervistë që kemi zhvilluar më parë për temën e krijimit të Asociacionit keni dhënë edhe idenë tuaj se si mund të krijohet pa lënë hapësira për vetëqeverisje apo ndryshim kufijsh, por a duket sikur firma e Kurtit në këtë marrëveshje (kam parasysh jo firmë fizike por pranimin verbal) duket sikur i jep më shumë të drejta serbëve në Veri.
Çështja e asociacionit për Perëndimin është një cështje e të drejtave të njeriut dhe cështje e vlerave të një shoqërie demokratike. Ajo ishte parashikuar që në Planin Ahtisaari për të modeluar në Ballkanin Perëndimor vende demokratike, të lira dhe multietnike. Për Beogradin cështja e asociacionit shikohet si një mundësi për rikthimin e Serbisë së Madhe dhe përdorimin e precedentit të Bosnjë-Hercegovinës për të realizuar në të ardhmen shkëputjen e Veriut të Kosovës. Kosova, si shtet serioz, duhet të respektojë të gjitha detyrimet e marra nga qeveritë e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare sic janë detyrimet e akteve të Brukselit që kanë pranuar krijimin e Assosiacionit. Por institucionet e Kosovës, nga ana tjetër duhet të respektojnë të drejtat dhe sovranitetin e vendit të tyre. Për këtë qëllim, pranimi i assosiacionit mund të shoqërohet me mos dhënien e kompetencave ekzekutive (sic është vendimi i Gjykatës Kushtetuese) dhe respektimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Kushtetutën e vendit në funksionimin e tyre. Këtë qëndrim ka mbajtur dhe i dërguari i Sekretarit të Shtetit, G. Eskobar, për cështjen e asosiacionit.
Duket që për serbët cështja e asosiacionit është qëllim në vetvete dhe këtë gjë e shprehu qartë diplomacia ruse, e cila deklaroi që cështja e krijimit të asosiacionit do të shtrohet në Këshillit e Sigurimit të OKB-së. Për serbët dhe diplomacinë serbe ngritja e kësaj cështje bëhet me qëllim për të riaktivizuar rezolutën 1244(1999) të Këshillit të Sigurimit dhe të provokojnë rishqyrtimin e kësaj cështje për të treguar se cështja e Kosovës nuk është një cështje e mbyllur dhe Rusët kanë kohë që punojnë me Serbinë në një marrëdhënie quid pro quo, për të përdorur Kosovën si një precedent, justifikim për politikat e tyre revizioniste për hapësirat ruse.
4. Dhe ndërkohë po del në pah se presidenti serb pret Asociacionin por pa dhënë garanci që edhe angazhimet e tjera që ai ka marë do ti zbatojë? A ishte kjo marrëveshje në fakt totalisht në favor të Serbisë?
Strategjia e nacionalistëve serbë ka qenë gjithmonë vendosja e shenjës së barazisë midis krimeve të genocidit serb në Kosovë dhe luftës për clirim të shqiptarëve. Kjo strategji ka qenë në funksion të projekteve të tyre serbo-ruse, si ndryshimi i kufijve në linja të pastra etnike apo projekti i Ballkanit të Hapur. Serbët nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës, por nga ana tjetër duan të bëjnë projekte ballkanike me shqiptarët e Tiranës, duke shfrytëzuar prirjet e tyre për pushtet dhe protagonizëm. Dhe e gjithë kjo strategji në dëm të Kosovës dhe në funksion të ndarjes së saj, ku Serbia do të fitojë pjesë dhe do të rikthejë ‘dinjitetin’ e saj.
Nuk do të kishte projekte ballkanike të propozuara nga Serbia në qoftë se renegatët shqiptarë nuk do ti jepnin legjitimitet Vucic si lider me një vizion të ri. Nuk do të kishte gjyqe dhe përgatitje të tyre (cdo fakt dhe provë është gatuar në guzhinat e Beogradit dhe me bekimin e Vucic) kundër heronjve të UCK në qoftë se regjimi i tanishëm në Tiranë nuk do të bashkëpunonte me Vucic.
5. A ka një mundësi që Serbia të rimarë territorin e Kosovës si Rusia në Ukrainë?
Kjo gjë është e pamundur për sa kohë që ekziston rendi ndërkombëtar botëror. Kosova është shtet i lirë dhe sovran dhe mbrohet si e tillë nga e drejta ndërkombëtare. Në qoftë se Rusia do të mposhtë Ukrainën atëherë Serbia mund të provokonte Europën për të krijuar një front të ri konflikti në qendër të Europës. E shumta që ata kanë mundësi tani është mos njohja e Kosovës, pritja që Perëndimi mund të ketë një krizë të re ose të negociojnë për një zgjidhje të re gjeopolitike për Ballkanin, ku mund të fitojë ideja e Serbisë së Madhe.
6. Dhe përsa i përket pikës për të mos ndaluar anëtarësimin e Kosovës në OKB, thuhet se do jetë Rusia ajo që do e ndaloj një hap të tillë. Dhe ndërkombëtarët këtu nuk kanë asgjë në dorë edhe pse dolën garant në marërveshjen e Ohrit.
Procesi i pranimit të Kosovës si një vend anëtar i OKB-së kalon nga Këshilli i Sigurimit, dhe e drejta e vetos së Rusisë dhe Kinës, që janë kundër anëtarësimit të saj në këtë organizatë. Edhe në qoftë se Serbia e njeh Kosovën mund të jetë Rusia dhe Kina që mund ta pengojnë këtë proces. E rëndësishme për Kosovën është njohja nga 5 vendet europiane dhe anëtarësimi i saj në NATO. Këto janë interesat e saj imediate që do të mundësojnë sigurinë dhe prosperitetin.
7. Ka zëra në Kosovë që I kërkojnë Kurtit të mos bëj asnjë hap pa pranuar më parë Serbia njohjen reciproke. Sa e arritshme është kjo zoti Nesho?
Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani kanë luajtur me shumë mencuri për të mbrojtur interesat e Kosovës. Po me ndjenjë përgjegjësie kryeministri Kurti ka trajtuar marrëveshjen me Serbinë. Vetë trajtimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve nga qeveria Kurti është parë në mënyrë kritike dhe ka kërkuar që në këto diskutime të dy palët të jenë të sinqerta, pa prapaskena dhe të arrihet njohja reciproke midis dy vendeve.
Tiranë, 28 Prill 2023
Zoti Agim Nesho ka qënë ish ambasador i Shqipërisë në OKB.
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*