Gjatë diskutimeve ne mbledhjen e djeshme të kryesisë së Partisë Demokratike ka pasur një debat në lidhje me regjistrimin e mbledhjes së kaluar dhe publikimin nga një media të të gjithë mbledhjes. Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe Eno Bozdo ngritën shqetësimin për audiot e rrjedhura në media nga mbledhja e kaluar e cila ka qenë me dyer të mbyllura. Vokshi e quajti këtë përgjim, ndërsa kryedemokrati u përgjigj se “nuk mund të bëhemi këtu si në shkollë që t’ju mbledhim celularët”.
Më poshtë është një pjesë e debatit e regjistruar dhe e publikuar e plotë:
Albana Vokshi: Për procedurë, në mbledhjen e kaluar ka ndodhur një turp. Dikush ka regjistruar me audio diskutimet në kryesi dhe i ka shpërndarë për media. Dikush na ka përgjuar me audio në mbledhje. Është e papranueshme. S’mund të vendosen audio. Nuk duhet të bëhen fshehtazi. Ne nuk është se kemi frikë nga ato që diskutojmë, por duhet të jemi korrektë. Nëse zyra e shtypit e gjykon se mbledhja duhet të regjistrohet, le ta bëjnë, por nuk është normale që të jetë mbledhje me dyer të mbyllura dhe nga këtu të dalin audio.
Jorida Tabaku: Nuk është problem që diskutimet dalin, problemi është që ndryshohen e deformohen. Ndoshta duhet që zyra e shtypit të nisë një informacion se çfarë diskutoi secili dhe është më korrekte sesa të dalin të deformuara.
Enno Bozdo: Edhe unë jam dakord që nuk duhet të dalin audio nga mbledhja e kryesisë në një kohë që mbledhja caktohet me dyer të mbyllura.
Lulzim Basha: Këto nuk janë gjëra për t’u diskutuar në mbledhjen e kryesisë. Nuk mund të bëhemi këtu si në shkollë që t’ju mbledhim celularët e t’i vendosim diku dhe më pas t’i merrni mbrapsht kur të mbarojë mbledhja e kryesisë. Ju këtu jeni njerëz politikë dhe i gjykoni vetë se çfarë duhet të flisni e si duhet t’i flisni. Ndaj ta mbyllim këtu këtë diskutim.
Gjithashtu gjatë mbledhjes ka pasur debat për zgjedhjet e 25 prillit dhe analizën që do të kryejë PD në muajt në vazhdim. Kreu i PD, Lulzim Basha ka treguar një rast në Durrës me një deputet të PD. Lideri i demokratëve thotë se deputeti i PS është përgjuar nga Prokuroria duke komunikuar me një grup kriminelësh. Sipas tij, situata e deputetit është e ngjashme me dosjen 339. ”Ne kemi bërë shumë ankimime në SPAK dhe deri tani nuk na kanë kthyer përgjigje. Por unë kam mësuar se një deputet i PS-së në qarkun e Durrësit është përgjuar nga prokuroria duke komunikuar me një grup kriminelësh në Durrës. Është situatë e ngjashme me dosjen e 339.”- tha Basha.
Ndërkohë Fatbardh Kadilli ka pasur ankesa dhe kërkesa gjatë mbledhjes duke kërkuar që manifesti i tij politik të përfshihet në analizë. Basha i bëri me dije se nuk e ka lexuar manifestin për të cilin flet Kadilli, por i bëri të qartë se ai humbi më 13 qershor dhe nuk mund të bëjë dot këtë pretendim.