Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.
Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.
Përpara takimit, Vuçiç shkroi në Instagram se “do të jetë vështirë”. “Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”, tha ai, pa sqaruar se kujt i referohet saktësisht.
Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.