Vihen në pranga dy të rinj pasi shpërndanin kanabis në zona të ndryshme të Fierit. Të arrestuarve iu gjetën edhe fishekë luftarakë e shkop metalik që u sekuestruan së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me mbështetjen e inteligjencës informative, për një rast të shitjes së lëndës narkotike kanabis, në doza, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sheqi”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit Mariol Blido, 18 vjeç dhe S. Y., 17 vjeç, të dy banues në Fier.
Na veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, dyshohet se 2 të rinjtë bashkëpunonin për shitjen e dozave të lëndës narkotike kanabis, në lagje të ndryshme të qytetit të Fierit. Gjithashtu, nga kontrollet, shërbimet e Policisë iu gjetën këtyre shtetasve, fishekë luftarakë dhe një shkop metalik si i Policisë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.