Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në emisionin ‘Wake up’ mëngjesin e sotëm. Ai foli për tema të ndryshme, nga politika tek jeta private dhe pasionet. Rama bëri një koment për të gjithë kritikët e këngës që ka zgjedhur për fushatën e zgjedhjeve lokale.
“Nuk është tallava, është kombinim mes hip hop me muzikën tradicionale. E shijoj shumë edhe tallavanë. Tani këta hundëhollët e buzëhollët që kanë problem me tallavanë, ju siguroj që nuk e kanë dëgjuar kurrë Bethoven nga fillimi deri në fund” – tha ai.
Sakaq, lidhur me podkastin, Rama u shpreh se është frymëzuar nga gazetari britanik Alastair Campbell.
“Kisha kohë që e mendoja, por fakti që kam marrë gjithë këtë hov zëri në vesh tregon se njerëzit kanë nevojë të jenë në hapësirën e jetës së tyre ku të mos jenë të imponuar nga imazhi, por të mund të shijojnë një bisedë që zakonisht është më e thellë se sa biseda që bëhet në televizor dhe mua vetë më ka tërhequr për 2 arsye, e para se podcasti sjell më shumë njerzillëk në komunikimin e përditshëm publik dhe ne kemi shumë nevojë për njerzillëk në hapësirën e komunikimit mediatik. Alastair Campbell ka qenë shtysë” – tha Rama.