Bënte vjedhje në bashkëpunim edhe me një femër, por dyshohet se ka kryer edhe vepra të tjera penale, në një kohë që vetëm tre ditë më parë për pak sa nuk u morri jetën edhe dy shtetasve italianë në Durrës.
Ai i goditi me automjetin e tij që lëvizte me shumë shpejtësi, dhe si pa të keq u largua nga vendi i ngjarjes duke i lënë viktimat të shtrira në mes të rrugës.
Por dje i riu durrsak me emrin Endri Zaja, 22 vjeç, u kap teksa lahej në det në plazhin e Durrësit, nga agjentët e kriminales që prej disa ditësh e kishin shpallur në kërkim.
Ashtu siç ishte, me mbathjet e plazhit dhe me barkun që i varej, 22-vjeçari u prangos dhe u shoqërua nga agjentët që ishin përshtatur si “plazhistë”, duke e çuar të lidhur në komisariatin e Durrësit.
Tani Zaja duket se do ta ketë “pisk” punën pasi përveç “vrasjes së mbetur në tentativë”, mbi të rrëndojnë edhe disa vepra të tjera penale, që do t’i mblidhen me gjasë të gjitha kur të shkojë përpara togave të zeza.
Por bashkë me Zajën, policia po dje ka vënë në pranga edhe një bashkëmoshataren e tij, që ishte gjithashtu bashkëpunëtorja e Zajës në shumë vepra penale.
Autoritetet sqarojnë se 22-vjeçarja me inicialet A.B., është arrestuar pasi akuzohet se ka bashkëpunuar me Endri Zajën dhe ka fshehur krimet e tij.
Për të renë rëndon akuza “Përkrahja e autorit të krimit”. Zaja është arrestuar pasditen e djeshme teksa ishte duke bërë plazh.
I riu akuzohet ndër të tjera edhe për 2 vjedhje të ndodhura në qytetin e Durrësit dhe për një aksident me pasojë plagosjen e një të moshuare.
/Video: ABCNews.al/Priza.al/