Rama: Dënimi i Llallës dhe i ish-politikanëve, sinjal për shtetin e së drejtës. Zgjedhjet u njohën nga OSBE/ODIHR

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për një nga televizionet më të mëdha në Francë ka folur për integrimin.

“Shqipëria shpreson për hapjen zyrtare në fund të qershorit, të negociatave të pranimit të vendit të saj në Bashkimin Evropian, të cilat janë bllokuar për disa vjet. Kryeministri shqiptar Edi Rama mbetet i kujdesshëm, edhe pse mendon se vendi i tij duhet “normalisht” të marrë dritën jeshile nga Brukseli. Rama beson se Shqipëria është përfshirë në një “betejë” për të reformuar sistemin e saj gjyqësor përballë korrupsionit, një shenjë që ai thotë për ardhjen e një “demokracie funksionale”, -i referohet France 24, intervistës me Ramën.

Kryeministri Edi Rama foli për çështjen e negociatave ku edhe pse tha se pret një vendim pozitiv, u shpreh se nga Brukseli nuk surprizohet.

Ishte vendosur që negociatat do të hapeshin, por më pas u mor vendimi për të shtyrë konferencën. Unë tashmë pres dhe nuk më surprizon asgjë në Bruksel, sepse ka çdo ditë dinamika të brendshme, ka çdo ditë një histori që është e vështirë. Sigurisht që ne duam të shohim çfarë do të bëhet. Por tashmë kemi një problem me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do të shohim nëse problemi do të zgjidhet”, shprehet Rama.

Zgjedhjet dhe skandali i të dhënave personale

Kryeministri foli edhe për skandalin e patronazhistëve dhe tha se të dhënat e mbledhura në regjistrin e patronazhistëve nuk janë personale. Sipas kryeministrit, regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve.

“Ne kemi një raport nga OSBE/ODIHR që janë shumë të qartë për integritetin e fushatës dhe zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur që mu bë pyetja, se kam lexuar artikuj të pavërtetë edhe në Francë. Nuk janë të dhëna personale individuale që kanë dalë, por janë dhënë tek organizata e partisë, që nuk kanë lidhje me të dhënat personale. Së pari, të dhënat dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve. Së dyti, numri i kartave të Identitetit, nuk është personal. Është një numër që tregon që këtë kartë e ka ky person në shërbimin civil, por nuk është e dhënë sensitive”.-tha Rama. 

Lufta kundër korrupsionit

I pyetur për herë të parë për dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama tha se është një sinjal që shteti i së drejtës funksionon, ndërsa la të kuptohej ndër rreshta, se nëse ka një dënim edhe për të tjerë “Ish-a” të politikës dhe gjyqësorit, atëherë BE nuk është larg.

“Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme, sot do të ishim në BE. Prandaj ne kemi hyrë në këtë betejë për të reformuar drejtësinë. Nëse ish-kryeprokurori, dhe ish-personalitete të gjyqësorit dhe politikës dënohen është një sinjal i mirë për shtetin e të drejtës, prandaj ne vazhdojmë këtë proces negociatash, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale”,-mbylli Rama fjalën e tij. 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *