Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi kryer testime në lidhje me votimin elektronik, në Kashar ditën e sotme. Ky lloj votimi do të aplikohet në 3 bashki, Elbasan, Vorë dhe Kamëz.
Celibashi rikonfirmoi se ky votim është i sigurt dhe garantoi fshehtësinë e votës: “Kemi pasur jo në mënyrë zyrtare, por kemi pasur disa shqetësime të tilla të përcjella në KQZ në lidhje me shqetësimin për votën. Jam këtu për t’ju garantuar, se është e sigurtë 100%, që nuk mund të ndërhyhet në pajisjen e votimit elektronik. Nuk mund të identifikohet vota. S’ka asnjë lloj mundësie as kompania as KQZ askush nuk ka mundësi që të verifikojë se për kë është votuar në mënyrë kategorike.”
Celibashi tha se rezultatet paraprake në këto bashki do të dalin për 30 minuta, pas përfundimit të procesit zgjedhor.
“Ne synojmë që brenda 30 minutave, te kemi shpalljen e rezultateve paraprake për 3 bashki. Ky është një projekt pilot nga ana e jonë, por nga ajo që vlerësojmë të gjithë procedurat përfundojnë për 30 minuta. Në disa zona dalja e rezultateve mund të vonohet pak, sepse në lidhje të internetit” – tha Celibashi.
Në lidhje me procedurat që do ndiqen gjatë votimit, në rastet kur votuesit kanë nevojë për asistim, Celibashi bëri me dije se çdo qendër votimi do të ketë një operator teknik të vendosur nga KQZ, që do të jetë vetëm për të asistuar.